Në bazë të elementeve të sëmundjes dallojmë katër forma të ndryshme të sëmundjes:
- Psoriaza vulgare përfaqëson formën më të shpeshtë të sëmundjes. Ajo shfaqet me pllaka vezake, të ngritura lehtë mbi sipërfaqen e lëkurës, me luspa me ngjyrë argjendi dhe lokalizohet kryesisht në bërryl, gjunjë, në pjesën e poshtme të shpinës dhe në zonën e kërthizës. Psoriasisi me pika ose me pllaka shumë të vogla është më i shpërndarë në trup dhe më pak në ekstremitete.
- Psoriaza në formë pikash: kjo formë e sëmundjes shfaqet shpesh pas një infeksioni. Ajo manifestohet me pllaka të vogla të shumta, që bashkohen në pllaka më të mëdha duke u përhapur në zona më të mëdha. Karakteristikë e kësaj forme janë të kruajturat e forta.
- Psoriaza pustuloze (me fllucka me lëng që duket si qelb): bëhet fjalë për një formë tepër të rrallë të sëmundjes, që karakterizohet nga shfaqja e puçrrave me qelb dhe skuqjeve në lëkurë. Këto elemente mund të jenë të lokalizuara në disa pjesë të trupit si në pëllëmbë te duarve dhe shputat e këmbëve, ose mund të përhapen në të gjithë trupin.
- Eritrodermia psoriatike është një tjetër formë e rrallë e sëmundjes që manifestohet me skuqje dhe rrjepje në të gjithë trupin.
- Artriti psoriatik është një artrit që shfaqet tek të sëmurët me psoriazë. Kjo formë mund të prekë deri 30% të të sëmurëve me psoriasis. Quhet edhe artriti seronegativ për shkak se faktori rheumatoid në gjak del negativ. Personat e prekur nga kjo formë e psoriazës vuajnë përgjithësisht nga artriti, kryesisht në nivelin e gishtave të duarve dhe të këmbëve.
Sa e lehtë ose e rëndë mund të jetë kjo sëmundje në njerëz të ndyshëm?
Në bazë të sipërfaqes së trupit që zë sëmundja mund të flasim për formën e lehtë, të mesme dhe të rëndë të sëmundjes.
- Në shumicën e rasteve psoriasis kufizohet deri në 2 % të sipërfaqes së trupit. Pllakat janë të veçanta dhe kufizohen në bryl, gjunjë, në kokë dhe duar. Kjo përbën formën e lehtë të sëmundjes.
- Forma e mesme e sëmundjes përfshin 2-10% të sipërfaqes së trupit. Këtu pllakat mund të shtrihen edhe më tej në trup si në parakrah, kërcij, trup, kokë etj.
- Forma e rëndë përfshin më tepër se 10% dhe në raste të rralla përfshin dhe pothuajse komplet trupin në formën e eritrodermisë psoriatike.
Shkaqet
Shkaqet e mirëfillta të psoriazës janë ende të panjohura. Mendohet se, për shfaqjen e saj, ka një predispozitë gjenetike (trashëgimia familjare), ndërkohë që është i sigurt fakti që psoriaza nuk është ngjitëse. Gjithashtu, rol të rëndësishëm në shfaqjen e saj luajnë edhe faktorët imuno-biologjikë.
Njihen një sërë faktorësh që mund të shpërthejnë psoriazën, apo një episod të saj, e që konsiderohen faktorë të rrezikut. Si të tillë mund të përmendim:
- Konsumi i alkoolit dhe duhanpirja
- Stresi emocional
- Çrregullimet e metabolizmit (niveli i yndyrnave, sheqerit, etj.)
- Mbipesha trupore
- Faktorët hormonalë
- Përdorimi i disa medikamenteve si beta-bllokuesit dhe ACE-i (që përdoren për të ulur tensionin arterial), litiumi (përdoret për çrregullimet e humorit), antiinflamatorët josteroidienë (jokortizonikë) dhe antimalarikët.
- Traumat e jashtme
- Ndryshimet e klimës
Në disa raste, shfaqja e psoriazës duket se ka lidhje me ushqyerjen, por lidhur me këtë argument nuk ka të dhëna të mjaftueshme shkencore. Edhe për sa i takon konsumit të alkoolit dhe duhanit, apo stresit, nuk është plotësisht e qartë nëse ato duhet të konsiderohen si shkaqe apo pasoja të sëmundjes.
Në shfaqjen e psoriazës janë të përfshirë edhe infeksionet e ndryshme, të tipit bakterial (i veshit të mesëm, i fytit), viral ose mykotik. Kjo shpjegohet me një ndërhyrje jonormale të sistemit imunitar të organizmit në këto raste. Kështu, gjatë një infeksioni, qelizat e epidermës (shtresës së sipërme të lëkurës) së organizmit sulmohen dhe shkatërrohen nga sistemi imunitar sepse ato ngjajnë me qelizat e sipërfaqes së disa bakterieve. Ky proçes është përgjegjës për dëmtimet në lëkurë, që janë tipike për psoriazën.
Simptomat
Tek personat e shëndetshëm, lëkura rigjenerohet në intervalin kohor të 26-27 ditëve. Në rastin e psoriazës, ky interval shkurtohet në 6-7 ditë, pikërisht për shkak të ndërhyrjes së sistemit imunitar dhe shkatërrimit prej tij të qelizave të epidermës.
Dëmtimet e lëkurës në këtë rast janë pllaka që kruhen, që mbulohen nga copa të lëkurës që bien (luspa). Gjithashtu mbi lëkurë mund të formohen edhe çarje ose fllucka. Praktikisht psoriaza mund të përhapet në të gjithë sipërfaqen e trupit, madje të prekë edhe kyçet dhe thonjtë.
Zonat e lëkurës që janë të prekura për momentin nga psoriaza nuk janë të mbrojtura në të ardhmen. Ato mund të preken përsëri prej saj. Nga ana tjetër, dëmtimet e lëkurës mund të shfaqen në zona krejt të reja dhe të zhduken plotësisht tek vatrat e vjetra.
Diagnoza
Në përgjithësi, dermatologu mund ta diagnostikojë sëmundjen e psoriazës me sy të lirë, vetëm duke vëzhguar ndryshimet në lëkurë ose në thonj, që janë karakteristike për këtë sëmundje. Ankesat e pacientit, të tilla si të kruajturat, tharja e lëkurës dhe zhvendosja e pllakave në zona të ndryshme, e ndihmojnë atë për të konfirmuar diagnozën e dyshuar. Nëse mjeku heq me dorë luspat, bëhet e dukshme një shtresë e re, tepër e shndritshme e lëkurës.
Gjithsesi, në rast se mjeku nuk është i sigurt për vendosjen e diagnozës, ai mund marrë një monstër (material indor) në lëkurë për egzaminim mikroskopik.
Në rastet më të vështira nevojitet biopsia e lëkurës. Në biopsi dallohet trashja e epidermës tre deri pesë herë, zgjatja të papilave të dermës, një imflamacion mesatar dhe zgjerim i enëve të gjakut.
Trajtimi
Në rastin e formave të mesme ose të rënda, ose kur sëmundja e ka invalidizuar pacientin, rekomandohet përdorimi i medikamenteve me efekt të përgjithshëm në organizëm, që frenojnë sistemin imunitar.
Gjithashtu përdoren edhe pomada ose kremra me veprim lokal, në zonat e dëmtuara të lëkurës, për lehtësimin e simptomave në to. Në rastin e episodeve akute, mund të përdoret acid salicilik, vitamina D dhe kortizoni.
Njëkohësisht me përdorimin e medikamenteve, rekomandohet edhe trajtimi me rreze ultraviolet (UVB). Mjeku i kombinon këto alternativa të trajtimit në mënyrë të tillë që të shfaqen sa më pak efekte të padëshiruara tek pacienti.
Me qëllim që të kuptohet më mirë mekanizmi i zhvillimit të psoriazës, studiuesit e saj janë përqëndruar më tepër në aktivitetin e qelizave T (fagociteve që gëlltisin bakteriet), që duket se luajnë rol të madh në këtë sëmundje auto-immune. Për këtë arsye, edhe medikamentet e reja të prodhuara nga proteinat humane (njerëzore), e kanë të fokusuar efektin e tyre mbi qelizat T, duke i bllokuar ato. Ato duhet të aplikohen vetëm me injeksione, sepse nëse do të përdoreshin nga goja, do të çaktivizoheshin menjëherë në stomak.
Meqenëse këto medikamente janë tepër të kushtueshme, ato përdoren vetëm për pacientët që nuk reagojnë ndaj mënyrave të tjera të trajtimit, ose që janë invalidizuar nga sëmundja (me rënie të theksuar të cilësisë së jetës).
Çfarë mund të bëjmë vetë?
Linja e parë e trajtimit konsiston në higjienën e mirë dhe kujdesin maksimal për lëkurën. Solucionet larëse duhet të jenë jo irrituese dhe jo të parfumosura. Janë të rekomandueshme banjat me vaj arrash, si dhe pomada dhe kremra vajore për mbrojtjen e lëkurës.
Gjithsesi, ekspozimi i shpeshtë në diell, për kohë të gjatë, veçanërisht në orët më të nxehta të ditës ku rrezatimi diellor është i fortë, mund të shkaktojë dëmtime në lëkurë. Gjithashtu, rekomandohet edhe evitimi i faktorëve të rrezikut, si konsumi i alkoolit dhe stresi emocional.
Ndikim përmirësues mbi simptomat e psoriazës në lëkurë luan edhe marrja e suplementeve ushqimore me bazë zinku dhe vaj peshku.
Trajtimet aktuale lehtësojnë simptomat e sëmundjes dhe frenojnë shfaqjen e episodeve të reja të saj për periudha të caktuara kohore, pa mundur të sigurojnë shërimin përfundimtar të saj. Sa herë që sëmundja rishfaqet, me formimin e pllakave dhe karakteristikat e tjera, ajo duhet të trajtohet nga mjeku specialist dermatolog.