Sindroma e syrit të thatë bën pjesë tek sëmundjet më të përhapura të syrit. Për shkak të një ndryshimi në përbërjen e lotit, sipërfaqja e syrit nuk është më e mbrojtur plotësisht. Kjo situatë shkakton një ndjesi thatësie dhe simptoma të tjera karakteristike.
Kjo sindromë prek kryesisht femrat, gjatë dhe pas menopauzës. Për të egzistojnë mënyra të ndryshme trajtimi, në varësi të shkallës së zhvillimit të sëmundjes dhe rëndësisë së simptomave.
Shkaqet
Loti shërben për të njomur (hidratuar) sipërfaqen e syrit, për ta mbrojtur atë kundër faktorëve infektues të ambientit dhe për të ushqyer kornenë (shtresa më e përparme e syrit, që ndikon në aftësinë e shikimit). Filmi i lotit është i përbërë nga tre shtresa:
- Shtresa mukoze: vendoset direkt mbi sipërfaqen e kornesë, dhe e mbron atë ndaj dëmtimeve të mundshme.
- Shtresa e mesme ujore: sekretohet nga gjendrat e lotëve, përbëhet nga proteina specifike, duke luajtur një rol të rëndësishëm në funksionimin e syrit. Ajo ndërhyn edhe në proçeset e riparimit në rastet e dëmtimeve sipërfaqësore të syrit.
- Shtresa yndyrore: edhe kjo sekretohet nga gjendrat e lotëve, përmban trupa yndyrorë, që pengojnë avullimin e shpejtë të lotit.
Çrregullimet e prodhimit të lotëve, të konstatuara gjatë inflamacioneve të gjendrave të lotëve, mund të ndryshojnë përmbajtjen e tyre në një shkallë të tillë që sipërfaqja e syrit nuk mund të jetë më e mbrojtur plotësisht. Në këtë rast shfaqet thatësia e syrit, e shoqëruar me simptoma të tjera.
Faktorët e rrezikut për sindromën e syrit të thatë:
- Era e fortë
- Ajri i thatë (me pak lagështirë)
- Trupat e huaj
- Drita e fortë e diellit
- Drita e fortë gjatë saldimit
- Sëmundjet e ndryshme (sëmundjet autoimune, artriti reumatoid)
- Sforcimi i syve (kompjuteri, qepje, leximi)
- Inflamacionet
- Përdorimi i medikamenteve të ndryshme, si ata kundër depresionit, kundër alergjisë, etj.
Simptomat
Simptomat e kësaj sindrome janë të ndryshme, nga një ndjesi e lehtë irritimi (shkalla 1) deri në gërryerjen e kornesë (shkalla 4), që rrezikon verbimin e pacientit. Simptomat më të shpeshta janë:
- Skuqje, djegie, të kruajtura në nivelin e syrit, ndjesia e trupit të huaj të përhershëm në sy ose që zhduket dhe rishfaqet përsëri.
- Turbullim i shikimit
- Ndryshime në nivelin e kornesë
- Dëmtime të epitelit të kornesë, formimi i ulçerave korneale (shkalla 4). Kjo shkallë shfaqet rrallë.
- Në rastet më të rënda, verbim
Diagnoza
Diagnostikimi i sindromës së syrit të thatë bazohet tek:
- Njohja e mjekut me simptomat, kushtet e jetesës dhe të punës (orët e zgjatura përpara kompjuterit, kontakti me lëndë kimike, rrezet e diellit, drita e saldimit, etj.), përdorimin e medikamenteve, mbajtjen e lenteve, etj.
- Egzaminimi i syve me ndihmën e një llampe okulare specifike, dhe vlerësimi i gjendrave dhe pikave të lotit.
- Testi i ngjyrës specifike
- Matja e kohës së çarjes së filmit të lotit (normalisht ndodh për 10-15 sekonda)
- Testi vlerësues i prodhimit të lotit (testi i Shirmer)
Trajtimi
Trajtimi varet nga shkaqet dhe nga shkalla e seriozitetit të simptomave.
Masa të tjera
- Mbajtja e syzeve mbrojtëse, që i sigurojnë syrit hidratim të mirë.
- Kirurgjia: konsiston në tarsorafinë, që përfaqëson ngushtimin e hapësirës ndërmjet qepallave (qepjen e tyre)
Masat e përgjithshme
- Ndërprerje ose ndryshim i medikamenteve që dyshohen si shkaktare të sindromës
- Trajtimi i sëmundjeve kryesore (alergjitë)
- Konsumi i ushqimeve të pasura me acide yndyrore omega 3 (që pakësojnë proçesin inflamator në sipërfaqe të syrit)
- Konsumi i sasive të mëdha të lëngjeve
- Mbrojtje e syve
Medikamentet që mund të përdoren në sindromën e syrit të thatë:
- Lotët artificialë, me ose pa konservantë
- Xheli, kremërat
- Kortizonikët
- Ciklosporina A (me veprim lokal kundër inflamacionit dhe dhimbjes)
- Substancat sekretagoge (medikamente që nxisin prodhimin e lotëve)
- Tetraciklina (antibiotik), e përdorur në sy në formën e pomadës ose nga goja në formën e tabletës.
- Medikamente kundër inflamacionit, në formën e tabletave që merren nga goja.
- Acetilcisteina: mund të jetë efikase në disa raste.
- Përdorimi i serumit autolog (serum nga gjaku i vetë pacientit, që përmban faktorë të rritjes dhe substanca anti-inflamatore), në formën e pikave që hidhen në sy.
Ndërlikimet e mundshme
Pjesa më e madhe e rasteve të diagnostikuara me sindromën e syrit të thatë shërohen pas eleminimit të faktorëve të rrezikut.
Nëse sindroma e syrit të thatë është rrjedhojë e sëmundjeve autoimune, të tilla si Sindroma Sjorgren ose Stivens-Xhonson, në rastet e rënda mund të çojë deri në verbim.
Ky informacion nuk do të zëvendsojë këshillen e një doktori. Lista doktorëve është dhënë si një lehtësi për ju. Ajo nuk është menduar si një rekomandim. doktorijuaj.com hedhë poshtë çdo garanci ose detyrim për përdorimin tuaj të këtij informacioni, pa konsultimin e drejtëpërdrejte me doktorin. Përdorimi i këtij informacioni do të thotë se ju pranoni kushtet e përdorimit. Se si u zhvillua ky informacion për t'ju ndihmuar që të merrni vendime më të mira shëndetësore.