Kërkim
i Avancuar
Ateroma (Atheroma)

Ateroma (Atheroma)

Përcaktimi

Ateroma është një tumor beninj i indit të nënlëkurës, që përfaqëson një grumbullim të madh të qelizave dhe të një lëngu që prodhohet në gjendrat dhjamore të nënlëkurës. Ateromat janë përgjithësisht të lokalizuara në lëkurën e kokës, fytyrës, qafës, ndërmjet barkut dhe qafës, por edhe në pjesët intime (zonat gjenitale) dhe vende të tjera. Termi “tumor” nuk është sinonim i kancerit. Ateromat janë beninje, pra të parrezikshme për jetën.

Kujdes:termi “ateromë” përfaqëson gjithashtu depozitimet e kolesterolit, kalciumit dhe qelizave të tjera mbi murin e enëve të gjakut, që shfaqen në terren të arteriosklerozës. Ky fenomen nuk ka asnjë lidhje me një tumor të lëkurës.

 Shkaqet

Gjendrat dhjamore të nënlëkurës prodhojnë një substancë vajore, që ka për funksion të mbrojë lëkurën. Nuk dihet saktësisht se përse yndyrnat, kristalet e kolesterolit dhe qelizat e lëkurës grumbullohen për të formuar një masë të tillë.

Mendohet se në shfaqjen e këtij fenomeni ndikon trashëgimia familjare, që reflektohet tek zhvillimi i lëkurës. Ateromat bëhen të dhimbshme vetëm kur infektohen, pra kur në to depërtojnë bakterie (si në rastin kur pacienti tenton ta shtypë vetë masën në lëkurë).

Simptomat

Nëse nuk infektohet, ateroma përfaqëson vetëm një masë mbi ose nën lëkurë. Lëkura që e mbulon atë ka një pamje normale. Nëse ateroma infektohet, shfaqen simptomat e mëposhtme:

Masa merr ngjyrë të kuqe dhe bëhet e dhimbshme.
Zona përreth masës është e ndjeshme, pra e dhimbshme ndaj shtypjes.
Nga masa mund të rrjedhë substancë vajore, qelb ose gjak.

Diagnoza

Shumë shpesh, ateroma mund të diagnostikohet nëpërmjet inspektimit të imtësishëm të lëkurës me sy të lirë dhe palpimit të masës, pa ekzaminime shtesë. Meqenëse ekzistojnë disa sëmundje tepër të rrezikshme, që kanë karakteristika të ngjashme me ateromën, diagnoza e saj duhet të vendoset nga një specialist dermatolog.

Nëse masa hiqet në mënyrë kirurgjikale, në të gjitha rastet indi i hequr duhet t’i nënshtrohet ekzaminimit histologjik, për të konfirmuar natyrën e tij beninje.

Trajtimi

Dermatologët nuk e rekomandojnë shtypjen e ateromës vetë, sepse mund të shtohet rreziku për infektim të saj.
Ateroma mund të hiqet plotësisht nëpërmjet një ndërhyrjeje të vogël kirurgjikale, përgjithësisht e realizuar nën efektin e anestezisë lokale.
Formimi i ateromave të reja, në zona të tjera të lëkurës së shëndetshme, nuk mund të evitohet tek personat e predispozuar, pra që kanë trashëgimi familjare lidhur me shfaqjen e tyre.

Ndërlikimet e mundshme

Ndërlikimi më i shpeshtë dhe më i rëndësishëm është infektimi i ateromës. Një ateromë e infektuar duhet të trajtohet me antibiotikë, në mënyrë që të pengohet përhapja e infeksionit në lëkurën e shëndoshë përreth.

“Pjekja” e abcesit mund të favorizohet nga drita infra e kuqe, nga aplikimi i kremrave ose me metoda të tjera. Vetëm atëherë, pra pas pjekjes së tij, ai mund të trajtohet me rrugë kirurgjikale. Përgjithësisht, pas operacionit të parë, mund të nevojitet edhe një i dytë, kur infeksioni është pakësuar, për të vlerësuar ecurinë e kistit.

 

  • Shpërndaje: