Kërkim
i Avancuar
ERCP (Endoskopia e rrugëve biliare (të tëmthit)

ERCP (Endoskopia e rrugëve biliare (të tëmthit)

ERCP (Endoskopia e rrugëve biliare (të tëmthit), Kolangiopankreatografia retrograde endoskopike)

Çfarë është ERCP?

ERCP është një radiografi me lëndë kontrasti e rrugëve të tëmthit dhe kanalit pankreatik. Ajo kryhet me ndihmën e një endoskopi të veçantë (duodenoskop), si për endoskopinë e stomakut. ERCP përdoret për të diagnostikuar dhe shpesh edhe për trajtimin e drejtpërdrejtë të sëmundjeve të rrugëve të tëmthit ose të pankreasit.

ERCP është një ekzaminim që i takon fushës së Gastro-Enterologjisë, që është degë e Mjekësisë së brendshme.

A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë para ERCP?

Për realizimin e ERCP duhet detyrimisht që pacienti të jetë esëll. Përveç kësaj, asnjë përgatitje tjetër nuk është e nevojshme.

Çfarë duhet të sqarohet përpara kryerjes së ERCP?

Për kryerjen e ERCP, nevojitet një proçes normal i mpiksjes së gjakut. Për këtë qëllim, i merret gjak pacientit për të kontrolluar nivelin e mpiksjes së gjakut. Pacientët që janë nën trajtim me medikamente për hollimin e gjakut, duhet t’i ndërpresin ato disa ditë përpara ekzaminimit ose t’i zëvendësojnë me injeksione të heparinës në bark. Për çdo rast, është mjeku ai që jep udhëzimet e nevojshme.

Si realizohet ERCP?

Ekzaminimi realizohet nën efektin e anestezisë afatshkurtër (me injeksion). Endoskopi i veçantë (duodenoskopi), si në endoskopinë e stomakut, futet nëpërmjet gojës dhe kalon përmes ezofagut dhe stomakut për të arritur në duoden, ku gjendet hapja e përbashkët e kanalit të tëmthit dhe kanalit pankreatik. Duke përdorur një sondë të hollë, dhe nën kontrollin radioskopik, lënda e kontrastit injektohet në të dy kanalet dhe në këtë mënyrë përftohen njëkohësisht pamjet radiografike. Nëse është e nevojshme, gjatë ekzaminimit mund të merret material indor për biopsi, si dhe të kryhen ndërhyrje të vogla në të njëjtën kohë. Për shembull, mund të hiqen gurët e tëmthit, mund të zgjerohen ngushtimet apo bllokimet e rrugëve të tëmthit ose pankreasit nëpërmjet vendosjes së një mbështetjeje të brendshme (stenti).

Kur duhet të kryhet një ERCP?

ERCP shërben për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të rrugëve të tëmthit dhe të kanalit pankreatik. Për këtë arsye, ajo nevojitet më shpesh në rastet që kanë çrregullime të derdhjes së tëmthit në rrugët e tij apo të pankreasit, si tumore apo gurë.

Arsyet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e ERCP janë:

  • Ikteri
  • Dhimbja e barkut
  • Inflamacioni i kanaleve të tëmthit
  • Inflamacioni i pankreasit (pankreatiti)
  • Kanceri i pankreasit
  • Kanceri i rrugëve të tëmthit

A paraqet ERCP ndonjë rrezik apo efekte të padëshiruara?

Ky ekzaminim zakonisht bart disa rreziqe. Në raste të rralla, pas ekzaminimit ndodhin acarime të dhimbshme ose inflamacione të pankreasit, dëmtim i organeve, gjakderdhje ose infeksion. Reaksioni alergjik ndaj lëndës të kontrastit është shumë i rrallë, por i mundshëm. Herë pas here, acarimi i mukozës i shkaktuar nga pajisja e ekzaminimit mund të rezultojë në shfaqen e gjurmëve të gjakut në sekrecione, ngjirje të përkohshme të zërit ose çrregullime të gëlltitjes. Përveç kësaj, radioskopia shoqërohet me një shkallë të caktuar të ekspozimit ndaj rrezatimit.