Çfarë është mamografia?
Mamografia është një ekzaminim imazherik i gjirit me nivele shumë të ulëta të ekspozimit ndaj rrezatimit. Me anë të saj mund të ekzaminohen strukurat gjëndrore të gjirit si dhe të evidentohen ndryshimet në strukturën dhe dendësinë e gjirit. Në veçanti, mund të zbulohen formacione të kalcifikuara (mikro kalcifikime) të cilat shihen mirë në imazhe dhe shpesh identifikohen si të dyshimta për kancer gjiri. Mamografia shërben për depistimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe është një ekzaminim plotësues, krahas palpimit dhe ekos së gjirit.
A është e nevojshme parapërgatitja e pacientes?
Ky ekzaminim duhet të kryhet në javën e dytë të ciklit menstrual, ose një javë para ardhjes së menstruacioneve. Në këto faza të ciklit, gjendrat e gjirit janë të relaksuara: nga njëra anë gjiri bëhet më pak i ndjeshëm ndaj presionit, dhe nga ana tjetër jep mundësinë që të përftohet një imazh cilësisht më i mirë. Duhen përjashtuar pacientet shtatzëna nga ky ekzaminim. Ditën e ekzaminimit duhet evituar përdorimi i deodoranteve, solucioneve apo pudrave të trupit, sepse për shkak të përmbajtjes së tyre mund të evidentohen në formën e grimcave të vogla dhe të ndikojnë në rezultat, pra në diagnozë.
Çfarë sqarimi nevojitet para ekzaminimit?
Nuk është i nevojshëm ndonjë sqarim specifik para ekzaminimit.
Si kryhet mamografia?
Ekzaminimi kryhet me pacienten në pozicionin drejt. Gjiri vendoset mbi një tavolinë radiografike dhe më pas shtypet butë. Për të përftuar një imazh sa më cilësor duhet të kryhet mirë shtypja, por jo aq sa të shkaktojë dhimbje. Për depistim nevojiten dy pamje për secilin gji: njëri nga lart dhe tjetri i pjerrët në anë. Ekzaminimi zgjat vetëm pak minuta, ku shtypja e gjirit zgjat pak sekonda për secilin film. Imazhet me rreze X përftohen në formën e një filmi radiografik, apo paraqiten në monitor ku edhe interpretohen nga Radiologu.
Kur këshillohet të kryhet mamografia?
Mamografia shërbën për sqarimin e ankesave apo dyshimeve në lidhje me sëmundjet e gjirit apo për depistimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Arsyet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e këtij ekzaminimi janë:
- Zbulimi i ndonjë nodusi të dyshimtë ose të fortë gjatë vetëkontrollit që ka bërë pacientja, apo që ka zbuluar mjeku gjatë palpimit (prekjes) të gjirit.
- Eko e dyshimtë e gjirit, pa një konkluzion të qartë dhe përfundimtar
- Dhimbje të pashpjegueshme ose ndryshime të lëkurës (gropëzime, tërheqje të lëkurës, cikatrizime të gjirit)
- Rrjedhje të sekrecioneve nga thithi i gjirit
- Zmadhim i nyjeve limfatike nën sqetull
- Rrezik i lartë për zhvillim të kancerit të gjirit (psh. nëse ka familjarë të prekur nga kanceri, nëse ka kryer ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e një tumori beninj në gji)
A paraqet rreziqe apo efekte të padëshiruara ky ekzaminim?
Ky ekzaminim është pa rreziqe. Shpesh shtypja e gjirit cilësohet si e parehatshme, deri e dhimbshme. Me anë të aparateve moderne të mamografisë, është tepër e shkurtër kohëzgjatja e rrezatimit dhe kufizohet vetëm në indin e gjirit. Në raste të rralla, në mamografi mund të përftohen rezultate false pozitive, që shpeshherë çojnë në kryerjen e panevojshme të biopsies, duke shkaktuar një traumë psikologjike tek pacientja.
Ky informacion nuk do të zëvendsojë këshillen e një doktori. Lista doktorëve është dhënë si një lehtësi për ju. Ajo nuk është menduar si një rekomandim. doktorijuaj.com hedhë poshtë çdo garanci ose detyrim për përdorimin tuaj të këtij informacioni, pa konsultimin e drejtëpërdrejte me doktorin. Përdorimi i këtij informacioni do të thotë se ju pranoni kushtet e përdorimit. Se si u zhvillua ky informacion për t'ju ndihmuar që të merrni vendime më të mira shëndetësore.