Kërkim
i Avancuar
Ikteri (zverdhja)

Ikteri (zverdhja)

  • 24/10/2021
  • 1 Pëlqim
  • 1459 Shikime
  • 0 Komente

Çfarë është Ikteri?

Ikteri (zverdhja), është çngjyrosje në të verdhë e lëkurës, e membranave të mukozës dhe pjesës së bardhë të syve si rezultat i rritjes së sasisë së bilirubinës në gjak. Ikteri është shenjë e një sëmundjeje në proces. Bilirubina është produkt që prodhohet nga shkatërrimi i përditshëm natyral i rruazave të kuqe të gjakut në trupin tonë. Molekula e hemoglobinës që është lëshuar në gjak prej këtij procesi ndahet dhe pjesa “heme” pëson një konvertim kimik që rezulton në bilirubinë.
Normalisht mëlçia metabolizon e sekreton bilirubinën në formën e bilës (vrerit). Megjithatë, në qoftë se ka një dëmtim (ndryshim) në metabolizmin ose sekretimin (rrjedhjen) e bilirubinës, atëherë ndodh ikteri (zverdhja).

Shkaqet e ikterit

Ikteri mund të shkaktohet prej një sërë procese sëmundjesh të ndryshme. Është shumë e rëndësishme të identifikojmë problemin që shkakton dëmtimet në metabolizmin dhe rrjedhjen e bilirubinës.

Shkaqet mund të jenë:
1. Pre hepatike (përpara se bila,vreri, të prodhohet në mëlçi) Ikteri në këtë rast shkaktohet prej rritjes së menjëhershme të shpërbërjes dhe shkatërrimit të qelizave të kuqe në gjak (hemoliza), duke ulur aftësinë e mëlçisë për të larguar në mënyrë adekuate sasinë e rritur të bilirubinës nga gjaku.

Disa shkaqe të këtij procesi janë:
– Malaria;
– Krizat tek pacientët me drepanocitozë (rruazat e kuqe në formë drapri);
– Sferocitoza (formë e anemisë së lindur ku qelizat e kuqe kanë formën e sferës);
– Talasemia (tjetër formë anemie e lindur);
– Mungesa e G6PD (glukozë 6-fosfat dehidrogenazës, sëmundje e lindur);
– Përdorimi i drogës ose helmeve të tjera;
– Sëmundjet autoimmune.

2. Hepatike (kur problemi lind në mëlçi)

Ikteri në këtë rast shkaktohet nga paaftësia e mëlçisë për të prodhuar dhe sekretuar bilirubinën. Shkaqet përfshijnë:
– Hepatiti (zakonisht viral ose alkoolik);
– Cirroza hepatike;
– Drogat dhe helmet e tjera;
– Sindromi Crigler-Najjar (çrregullim shumë i rrallë, i trashëguar ku bilirubina nuk mund të ndahet);
– Sindromi Gilbert (çrregullim shumë i shpeshtë ku ka sasi të lartë të bilirubinës);
– Kanceri i mëlçisë.

3.Post-hepatike, pas procesit të prodhimit të bilës në mëlçi.

Ikteri në këtë rast quhet ikter mekanik dhe shkaktohet nga situata që ndalojnë rrjedhjen normale të bilirubinës së konjuguar në formë vreri nga mëlçia për në zorrë.

Shkaqet e ikterit mekanik përfshijnë:
– Gurët e tëmthit të cilët mund të bllokojnë duktuset biliare (kanalet e vrerit);
– Kanceri pankreatik dhe karcinoma e fshikëzës së tëmthit dhe duktuseve biliare;
– Strikturë (ngushtim), e duktuseve biliare;
– Kolangitis (infeksion i rrugëve biliare);
– Malformacione të lindura;
– Pankreatiti;
– Parazitet;
– Shtatzënia.

Shenjat e ikterit
Ikteri është shenjë themelore e një sëmundjeje në proces.
Shenjat dhe simptomat e para të shpeshta tek njerëzit me ikter (zverdhje), përfshijnë:
– Zverdhje e lëkurës, membranave të mukozës dhe pjesës së bardhë të syve;
– Feçe të zbardhura;
– Urinë me ngjyrë të errët si çaj;
– Kruajtje lëkure.

Procesi i sëmundjes mund të rezultojë me shenja dhe simptoma të tjera që përfshijnë:
– Të vjella;
– Dhimbje barku;
– Ethe;
– Dobësi;
– Humbje oreksi;
– Dhimbje koke;
– Gjendje konfuzioni;
– Ënjtje të këmbëve dhe barkut.

Ekzaminimet

Pavarësisht historikut të detajshëm që do t’ju marrë doktori, do të jetë e nevojshme kryerja e një sërë analizave dhe ekzaminimeve për të gjetur shkakun e ikterit tuaj.

Analizat dhe ekzaminimet e nevojshme janë si më poshtë:

– Analizat e gjakut; Këtu përfshihet gjaku komplet, provat funksionale të mëlçisë, nivelet e amilazës dhe lipazës për të parë praninë e pankreatitit dhe panelin e elektrolitëve. Mund të jenë të nevojshme dhe analiza të tjera, kjo në varësi të rezultateve të analizave të lartpërmendura.
– Analiza urinës: është një test shumë i dobishëm për diagnostikimin e shumë sëmundjeve

Studimet imazherike:
– Eko abdominale: Kjo është një procedurë e thjeshtë dhe e sigurtë, jo e dhimbshme. Me anë të ultratingujve me frekuencë të lartë merren imazhe të fshikëzës së tëmthit dhe pankreasit. Është shumë efektive për të gjetur gurët e tëmthit dhe zgjerimin e vijave biliare. Gjithashtu mund të zbulojë anomali të pankreasit dhe mëlçisë.

– Endosonografia EUS : është një procedurë minimalisht invazive me risqe proceduriale të ngjashme me ato të gastroskopisë dhe me mortalitet të ulët. Afërsia e ekoendoskopit me sitemin biliar ekstrahepatik, mungesa e radiacionit dhe siguria e bën EUS një metodë të shkëlqyer për ekzaminimin e duktusit biliar të përbashkët (rrugëve të tëmthit), fshikëzës së tëmthit, gurëve të vegjël, llumit biliar si dhe mikrogurëve (mikrolitiazis). Sistemi biliar ekstrahepatik mund të vlerësohet plotësisht me EUS tek 96 % e pacientëve.

– Tomografia e kompjuterizuar (CT) skaneri: është test imazherik i njëjtë me rrezet X (grafinë), që merr pamje të detajuara të organeve të barkut. Nuk është aq i mirë sa eko-ja abdominale për të kapur gurët në fshikëzën e tëmthit, por mund të identifikojë një sërë anomalish të tjera të mëlçisë, pankreasit si dhe organeve të tjera.

– Koleshintigrafia(HIDA Skaner): është një test imazherik që përdor substancë radioaktive për të vlerësuar fshikëzën e tëmthit dhe vijat biliare.

– Rezonanca magnetike (MRI): është një test imazherik që përdor një fushë magnetike për të ekzaminuar organet e barkut. Mund të jetë e dobishme për imazhe të detajuara të vijave biliare.

– Kolangio-pankreatiko-grafia retrograde endoskopike ERCP: është një procedurë e cila kryhet me anë të gastroskopit (një tub i hollë me kamera në majë të tij), i cili futet nëpërmjet gojës deri në fillim të zorrës së hollë. Më pas injektohet një ngjyrues në vijat biliare ndërsa merren imazhe me rreze X. Është shumë i dobishëm për identifikimin e gurëve, tumoreve dhe ngushtimeve të vijave biliare.

Biopsia e mëlçisë

– Perkutane (nga lekura). Në këtë procedurë, futet në mëlçi një age pasi pacientit i injektohet anestezi. Shpesh, për të drejtuar agen përdoren imazhet ultratinguj (ekoja). Materiali i marrë prej mëlçisë dërgohet në laborator për ekzaminim histopatologik. Ndër të tjera, biopsia e mëlçisë ndihmon dhe në diagnostikimin e pankreatitit, cirrozës dhe kancerit të saj.

– Një mënyrë tjetër për të marrë biopsi të mëlçisë është aspirimi me age(FNA) gjatë procedurës së ekos endoskopike(EUS) e cila është një procedurë e besueshme, e sigurtë për diagnostikimin e lezioneve të dyshimta të mëlçisë.
Megjithatë, të dyja metodat plotësojnë njëra-tjetrën.

Trajtimi i ikterit

Trajtimi varet nga shkaku i gjendjes që çon në ikter dhe nga çdo komplikim i mundshëm që lidhet me të. Menjëherë sapo vendoset diagnoza bëhet dhe trajtimi përkatës. Pacienti mund të ketë ose jo nevojë të hospitalizohet.
– Mund të jetë i nevojshëm trajtimi mjekësor me lëngje intravenoze, antibiotikë dhe transfuzion gjaku.
– Në qoftë se shkaku janë droga dhe helmet e tjera, atëherë ato ndërpriten.
– Mund të jetë i nevojshëm trajtimi kirurgjikal.

Kujdesi në shtëpi

Kujdesi në shtëpi ka si qëllim të lehtësojë simptomat dhe të menaxhojë situatën mjekësore që shkakton ikterin. Më poshtë renditen masat e duhura që mund të merren.
– Mbajtja në nivele adekuate të hidratimit duke pirë shumë lëngje dhe regjim shtrati.
– Marrja e mjekimeve sipas përshkrimeve të mjekut.
– Shmangia e ilaçeve, bimëve mjekësore ose suplementeve të tjera të cilat mund të shkaktojnë efekte të dëmshme anësore. Konsultohuni me mjekun tuaj për këshilla.
– Shmangni përdorimin e alkoolit.
– Ndiqni këshillat rreth dietës sipas rekomandimeve të mjekut tuaj.

Trajtimi mjekësor

Trajtimi varet nga gjendja mjekësore shkaktare e ikterit dhe nga simptomat dhe komplikimet.
Trajtimi mund të përfshijë:
– Kujdesi mbështetës;
– Likide intravenoze në rast dehidrimi;
– Medikamente për të vjellat dhe dhimbjen;
– Antibiotikë;
– Mjekimi me antiviral;
– Transfuzion gjaku;
– Steroide;
– Kimioterapi/radioterapi.

Medikamentet
Medikamentet mund te jenë ose jo të nevojshme. Pasi diagnostikohet shkaktari i ikterit, vendoset skema e mjekimit në varësi të shkaktarit.

Kirurgjia
Trajtimi kirurgjikal mund të jetë i nevojshëm në situatat e kancerit, malformacioneve të lindura, bllokimeve të duktuseve biliare, gurëve të tëmthit dhe anomalive të shpretkës. Në disa raste është i nevojshëm transplantimi i mëlçisë.

Parandalimi

Kushtet mjekësore që mund të shkaktojnë ikterin (zverdhjen) mund të parandalohen.
Disa masa parandaluese përfshijnë:
– Shmangia e abuzimit me alkoolin (hepatitis alkoolik, cirroza alkoolike dhe pankreatiti);
– Vaksinimi për hepatitin B dhe A;
– Marrja e ilaçeve kundër malaries përpara udhëtimeve në vendet me risk të lartë;
– Shmangia e veprimeve me risk të lartë siç është marrja e drogave venoze dhe kryerja e marrëdhënieve seksuale të pambrojtura duke shmangur kështu hepatitin B;
– Shmangia e ushqimeve dhe ujit të kontaminuar dhe mbajtja e një higjiene të lartë për ushqimet duke shmangur kështu hepatitin A;
– Shmangia e ilaçeve që shkaktojnë hemolizë (shkatërrim i qelizave të kuqe të gjakut) në personat e dyshuar (si p.sh. ato me defiçencë të G6PD);
– Shmangia e ilaçeve dhe helmeve që shkaktojnë hemolizë dhe që shkaktojnë dëmtime të drejtpërdrejta në mëlçi.

Për tu mbajtur mend

Prognoza varet nga shkaktari. Disa situata janë lehtësisht të menaxhueshme dhe kanë një ecuri të shkëlqyer, ndërsa disa të tjera mund të jenë kronike dhe kërkojnë ndjekje mjekësore për gjithë jetën. Fatkeqësisht disa situata që shkaktojnë ikterin mund të jenë fatale për jetën, pavarësisht mjekimeve dhe ndërhyrjeve kirurgjikale

  • Shpërndaje: