Kërkim
i Avancuar
Analiza e gjakut Glikemia

Analiza e gjakut Glikemia

Përse duhet ta kontrolloni glikeminë tuaj?
Glikemia juaj (niveli i sheqerit në gjak) ndryshon gjatë gjithë ditës, varësisht nga mënyra e të ushqyerit tuaj, nga aktiviteti fizik dhe nga trajtimi juaj.

Matja e glikemisë ju ndihmon të kuptoni më mirë faktorët që ndikojnë në të dhe i mundëson mjekut tuaj që ta përshtatë trajtimin tuaj. Ajo ndihmon gjithashtu për të kuptuar më mirë nëse ndjenjat tuaja fizike janë të ndërlidhura apo jo me ndryshimet në nivelin e sheqerit në gjak.

Ky test mat nivelin e glukozës në gjak, burimit kryesor të energjisë për qelizat e trupit dhe të vetmit për sistemin nervor. Përdorimi i glukozës për energji varet nga insulina, një hormon i prodhuar nga pankreasi. Ka disa patologji që shoqërohen me çrregullime të niveleve plazmatike të glukozës dhe hormoneve të tjera të përfshira. Më kryesorja është diabeti, i cili përmbledh një grup çrregullimesh të lidhura me prodhimin e pamjaftueshëm të insulinës dhe/ose rezistencën ndaj insulinës.

Në rastet kur kemi të bëjmë me mosprodhim të mjaftueshëm të insulinës jemi përpara DIABETIT TIP 1. Ndërsa kur kemi rezistencë ndaj insulinës, kemi DIABETIN TIP 2.
Diabeti është një sëmundje kronike, e cila duhet ndjekur me shumë seriozitet, pasi nivelet e larta të sheqerit shkaktojnë dëmtime në organe si në veshka, sy, zemër, enë gjaku dhe në sistemin nervor.

Gjatë shtatzënisë mund të shfaqet hiperglicemia apo diabeti gestacional, i cili mund të japë çrregullime tek nëna dhe bebi, nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet. Po ashtu hipoglicemia, niveli i ulët i sheqerit, mund të shkaktojë dëmtime në Sistemin Nervor Qendror dhe Periferik.