Kërkim
i Avancuar
Çfarë i shkakton Aknet?

Çfarë i shkakton Aknet?

Akne vulgaris është patologjia më e shpeshtë e lëkurës që prek kryesisht adoleshentët, por që mund të shfaqet praktikisht në çdo moshë. Ajo përkufizohet si çrregullim kronik kutan që karakterizohet nga prezenca e komedoneve (pika të zeza dhe të bardha) dhe elemente inflamatore-puçrra, qelb apo noduj të fortë në lëkurën e fytyrës, në kraharor e në shpinë. Kjo sëmundje ka një impakt të madh në jetën sociale të individit duke ulur vetëvlerësimin e duke shtuar stresin dhe rrezikun për depresion.

Faktorët kryesorë në shfaqjen e akneve janë prodhimi i lartë i yndyrës prej gjëndrave yndyrore kutane, grumbullimi I qelizave të vdekura në poret e lëkurës, çrregullimet hormonale, bakteri i aknes dhe inflamacioni e reagimi i imunitetit. Edhe mjekimet për këtë çrregullim synojnë të veprojnë pikërisht në faktorët e mësipërm e megjithatë trajtimi i akneve mbetet akoma i vështirë.

Trajtimet lokale (me aplikim direkt në lëkurë) të aknes përfshijnë kremra me retinoide , benzoil peroxide, acid azelaik dhe antibiotikë si dhe trajtime sistemike me tableta izotretinoine, antibiotikë dhe preparate hormonale sidomos në femrat me fillim të vonshëm të akneve.

Për shkak të efekteve anësore të izotretinoinës dhe rritjes së rezistencës ndaj antibiotikëve , vitet e fundit janë shtuar studimet për trajtime të reja e më specifike dhe rezultatet duken premtuese.

Krahas faktorëve të mësipërm shpesh herë akuzohet regjimi ushqimor si kontribuues në shfaqjen e aknes. Pavarësisht studimeve dhe qëndrimeve të ndryshme, pjesa më e madhe e tyre rezultojnë pa mbështetje të mirëfilltë shkencore të lidhjes akne-dietë. E megjithatë të dhënat statistikore  tregojnë se aknet shfaqen më pak në zonat rurale dhe ato jo industriale sesa në qendrat urbane e ato të modernizuara perëndimore. Këtë diferencë studiuesit e lidhin me dietën e pasur në  karbohidrate dhe konsumimin e lartë të qumështit  prej  adoleshentëve të Europës Perëndimore e vendeve industriale. Kjo pasi dieta e pasur me karbohidrate nxit hiperinsulineminë e cila jep ndryshime hormonale e për pasojë kontribuon në shfaqjen e akneve.

Duke qenë se kjo sëmundje është kronike, zgjat ndër vite dhe finalizohet me shenja të thella në lëkurë (akne scars) është e rëndësishme që aknet  të mos nënvlerësohen e të drejtoheni sa më herët të jetë e mundur  tek mjeku dermatolog.

  • Shpërndaje: