Kërkim
i Avancuar
Sinusiti – shkaqet, simptomat, diagnoza dhe trajtimi

Sinusiti – shkaqet, simptomat, diagnoza dhe trajtimi

Sinusiti është një inflamacion i mukozës së sinuseve paranazale. Këto infeksione zakonisht ndodhin së bashku me infeksionet e hundës / rinitit / dhe për këtë arsye shpesh përdoret termi rinosinusit.

Anatomia

Sinuset janë disa çifte të hapësirave ajrore të vendosura në hapësirën e kokës. Sipas lokalizimit, ato ndahen në: maksilare/ nofull; frontale/ballore; etmoide / në rrënjën e hundës ndërmjet syve; sfenoide / pas hundës në mes të kokës.

Inflamacioni i sinuseve zakonisht shoqërohet me: ftohje të mëparshme; rinit alergjik; polipe në hundë; devijim/shtrembërim të kockës së hundës; infeksione të shpeshta në rrugët e sipërme të frymëmarrjes.

Gjatë ftohjes, ënjtja / edema e mukozës së hundës për shkak të infeksionit çon në ngushtim ose bllokim të hapjeve të sinusit në hapësirat e hundës. Kjo çon në ulje të presionit të sinusit, shfaqet dhimbje dhe akumulim i sekrecionit në sinuse. Rritet presioni dhe dhimbja në zonën e sinuseve, dhe shpesh ndodh kolonizimi bakterial, i cili e bën më të theksuar pamjen klinike.

Shkaqet më të zakonshëm të sinusitit janë:

  • bakteret – Streptococcus pneumoniae, Haemophylus influenzae, Moraxella catarrhalis
  •  viruset – rinoviruset, adenoviruset, viruset e influencës dhe parainfluencës, viruset syncytiale të frymëmarrjes
  • Infeksionet fungale / myku – zakonisht tel pacientët me diabet dhe pacientët me mungesë të imunitetit

Simptomatologjia

Sipas ashpërsisë së simptomave që ndodhin gjatë inflamacionit të sinuseve, ato ndahen në majore dhe minore.

Simptomat majore më të zakonshme janë:

  • dhimbje në fytyrë ose ndjenjë presioni
  • bllokimi i hundës
  • shkarkimi i hundës / fillimisht sekrecion i pastër, më pas i trashë dhe me ngjyë të verdhë-jeshile, ose ndjenjë e rrjedhjes së sekrecionit në fyt
  • reduktim ose humbje të nuhatjes
  • rritje e temperaturës së trupit.

Tek simptomat minore dominojnë:

  • lodhja, plogështia
  • dhimbja e dhëmbëve, veshëve
  • dhimbja e kokës
  • kollitja
  • aroma e keqe e frymës

Duke marrë parasysh simptomat, për përcaktimin e diagnozës së saktë, nevojiten të paktën një simptomë majore dhe dy simptoma minore, ose dy simptoma të majore.

Lokalizimi i dhimbjes mund të tregojë infeksionin e sinuseve:

  • tek sinusiti maksilar – dhimbje nën sy, dhimbje të dhëmbëve, dhimbje koke
  • tek sinusiti frontal – dhimbje në zonën e ballit / sipër syve /
  • tek sinusiti etmoid – dhimbje ndërmjet syve / në rrënjën e hundës
  • tek sinusiti sfenoid – dhimbje në zonën e pasme ose të mesme të kokës.

Përcaktimi i këtyre simptomave shpesh është i vështirë për shkak të përhapjes së njëkohshme të infeksionit në më shumë pjesë të sinuseve.

Sipas kohëzgjatjes së simptomave, sinusiti mund të shfaqet në disa forma:

  • sinusit akut- zakonisht fillon me simptoma të ftohjes dhe zgjat maksimum nga 2-4 javë
  • sinusit subakut – simptomat vazhdojnë për 4-12 javë
  • sinusit kronik – zgjat më shumë se 12 javë
  • sinusit i përsëritur.

Diagnostikimi i sinusitit bëhet në bazë të:

  • anamnezës së detajuar
  • ekzaminimit të plotë otorinolaringologjik
  • fibrosnasofaringoskopi/ fleksibile – ndryshe nga endoskopia e ngurtë, kjo metodë diagnostike lejon vlerësimin shumë më të saktë të hapësirave të hundës.

Kjo na siguron të dhëna për ndryshimet në mukozën e hundës, ndryshimin e ngjyrës, ënjtjen, hipertrofinë, deformimin, devijimin e septumit të hundës, praninë e sekrecioneve dhe lokalizimin, vlerësimin e bajames së tretë tek fëmijët, polipet e hundës dhe kushte të tjera që janë të rëndësishme në vlerësimin e infeksionet e sinusit.

Trajtimi i sinusitit varet nga shkaku dhe forma e inflamacionit. Mund të jetë trajtim konservator ose kirurgjikal.

Trajtimi konservativ:

Në rastet e sinusitit viral, terapia zakonisht është simptomatike / në mënyrë që të qetësojë simptomat – pikat dekongjestive ose sprejet e hundës / në mënyrë që të reduktohet bllokimi i hundës, analgjetikët  për reduktimin e dhimbjes, vitaminat, inhalimet, ngrohjet, etj.

Në rastet e sinusitit bakterial, jepet shtesë terapia me antibiotikë (më saktë sipas rezultateve të testeve mikrobiologjike) për një periudhë prej 10-14 ditësh. Në forma më të rënda, mund të sjepen edhe kortikosteroide.

Nëse konfirmohet prania e alergjisë ose ka simptoma të alergjisë, jepen antihistaminikët – antialergjikë, në formën e spreit të hundës. Në rast të sinusitit të shkaktuar nga myku / sinusit fungal, jepet terapi antifungale. Këto forma shpesh kërkojnë trajtim kirurgjik për shkak të evolucionit të shpejtë dhe pamjes së theksuar klinike.

Përveç trajtimit konservativ, mund të përdoren inhalime me kamomil, vajra esencialë, ngrohje të sinusit me llambë infra të kuqe, terapi me vitamina, etj.

Dështimi i trajtimit konservativ mund t’i atribuohet formimit të të ashtuquajturave biofilm bakterial në hapësirat e hundës / sinusit që rrit ndjeshëm rezistencën ndaj antibiotikëve. Disa studime tregojnë se në 75% të pacientëve të operuar për shkak të procesit kronik inflamator të sinuseve zbulohet prania e biofilmit bakterial.

Trajtimi kirurgjik:

Trajtimi kirurgjikal indikohet tek format kronike, të përsëritura ose të zgjatura të sinusitit

Ndryshe nga teknikat kirurgjikale klasike të përdorura më parë për trajtimin kirurgjik të sinusitit, sot përdoret teknika e FESS – kirurgjia funksionale e sinusitit endoskopik. Përparësitë e kësaj metode në krahasim me atë klasike janë:

  • siguron qasje më të lehtë dhe vizualizim më të mirë të hapësirave të hundës dhe sinusit
  • zvogëlon traumën operative në indet përreth
  • redukton periudhën e shërimit pas operacionit.

Komplikimet e mundshme të sinusit

Rënia apo zbritja e sekrecioneve infektive nga hunda dhe sinuset mund të çojë në infeksione të traktit të poshtëm të frymëmarrjes. Kjo gjendje quhet sindromë Sinobronkiale.

Prandaj, në rastet e episodeve të shpeshta ose të përsëritura të infeksioneve të traktit të poshtëm të frymëmarrjes, veçanërisht tek fëmijët, është e rëndësishme të vlerësohen rrugët e sipërme të frymëmarrjes si një folezë e mundshme e infeksionit.

Nëse diagnoza e infeksionit të sinusit nuk përcaktohet në kohë ose nuk jepet terapia e duhur, mund të shfaqen komplikime. Zakonisht komplikimet ndodhin me anë të përhapjes së infeksionit përreth duke shkatërruar drejtpërdrejt muret e holla kockore të sinuseve ose indirekt nëpërmjet enëve limfatike të gjakut.

 Duhet të konsultoheni patjetër me mjekun tuaj otolaringolog nëse keni:

  • zgjatje të simptomave të ftohjes
  • përkeqësim të simptomave fillestare të ftohjes së zakonshme
  • anamnezë të infeksioneve kronike të sinusit
  • mungesë të imunitetit

 Diagnostikimi i hershëm i sinusitit, si dhe zbatimi i terapisë adekuate zvogëlon ndjeshëm rrezikun e komplikimeve dhe rrezikun e përhapjes së infeksionit në strukturat përreth.

  • Shpërndaje: