Kërkim
i Avancuar
Tomografia e kompjuterizuar (CT-Skaneri)

Tomografia e kompjuterizuar (CT-Skaneri)

Çfarë është tomografia e kompjuterizuar?

Tomografia e kompjuterizuar është një metodë e modernizuar e imazherisë, ku nëpërmjet rrezeve X përftohen imazhe aksiale të trupit. Ekzaminimi zgjat vetëm pak minuta dhe është plotësisht pa dhimbje. Gjatë ekzaminimit, në brendësi të pajisjes së skanerit rrotullohet një tub me rreze X (skaner) me lëvizje rrethore përreth trupit. Në këtë proçes, me ndihmën e rrezeve X përftohen imazhe pjesë-pjesë të zonave të trupit, të cilat përpunohen nga kompjuteri si imazhe me rezolucion të lartë, të riformatuara në plane të shumta, gjithashtu edhe tre dimensionale. Në këtë mënyrë, me anë të këtij ekzaminimi mund të përftohen në kompjuter imazhe të organeve, kockave, indeve të buta nga i gjithë trupi. Në disa raste mund të përdoren lëndë kontrasti me jod (CT-skaner me lëndë kontrasti). Ekzaminimi me lëndë kontrasti mundëson pamje më të mira të organeve dhe ndryshimeve të tyre në sëmundje të ndryshme.

Tomografia e kompjuterizuar është një ekzaminim që i përket shërbimit të Imazherisë.

A është e nevojshme përgatitja e pacientit para ekzaminimit?

  • Në shumicën e rasteve nuk ka nevojë për parapërgatitje.
  • Në rastin e kontrollit të organeve të barkut dhe të pelvisit, pacienti duhet të jetë esëll.

Çfarë sqarimi nevojitet përpara ekzaminimit?

Para kryerjes së ekzaminimit mjeku radiolog sqaron pacientët mbi proçedurën, dhe për çfarë duhet të tregojnë kujdes. Shtatzënia e përjashton mundësinë e kryerjes së ekzaminimit. Gjithashtu, shtatzënat dhe fëmijët nuk duhet t’i nënshtrohen këtij ekzaminimi për shkak të rrezatimit radioaktiv.

Duhet të shmanget përdorimi i lëndëve të kontrastit ose të kryhet vetëm me masa paraprake tek:

  • Personat me alergji të njohur ndaj lëndëve të kontrastit
  • Personat me sëmundje të veshkave, me dëmtim të funksionit të tyre.
  • Personat me Hipertiroidizëm (lëndët e kontrastit me jod mund të përkeqësojnë akoma më tepër hipertiroidizmin)
  • Shtatzënat

Si kryhet CT-skaneri?

Ekzaminimi fillon me pacientin shtrirë në shpinë mbi një shtrat ekzaminimi të lëvizshëm, i cili futet ngadalë në një tip “tuneli” të aparaturës. Ky tunel është rreth 70 cm i gjerë, në mënyrë që pacienti të mos ketë frikë nga mungesa e hapësirës. Gjatë proçedurës vetëm pacienti qëndron në dhomën e ekzaminimit. Pajisja kontrollohet nga dhoma ngjitur dhe komunikimi me stafin realizohet nëpërmjet citofonit. Në varësi të rajonit të trupit që do të ekzaminohet, proçedura zgjat nga 2-10 minuta. Gjatë kësaj kohe, është tepër e rëndësishmë që pacienti të jetë i relaksuar dhe të mos lëvizë, në mënyrë që të mos përftohen imazhe të turbullta dhe jo cilësore. Herë pas here pacientit i kërkohet që të mbajë frymën për disa sekonda.

Skaneri me kontrast: Shpesh në tomografinë kompjuterike përdoren edhe lëndët e kontrastit me jod, në mënyrë që të rritet natyrshëm kontrasti i disa organeve dhe indeve. Kjo e bën më të lehtë dallimin midis indeve dhe strukturave të ndryshme. Në varësi të strukturës së ekzaminuar, lënda e kontrastit injektohet në venë, në rektum (pjesën fundore të zorrës së trashë) ose pihet ngadalë para ekzaminimit. Agjenti i kontrastit eliminohet brenda disa orëve nëpërmjet urinës.

Kur kryhet tomografia kompjuterike?

Tomografia kompjuterike kryhet në mënyrë që të përftohen imazhe tepër të detajuara të zonave të ndryshmë të trupit dhe indeve të buta.

Arsyet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e CT- skanerit janë:

  • Diagnoza dhe monitorimi i ecurisë së trajtimit në pjesën më të madhe të sëmundjeve të organeve të brëndshme
  • Vlerësimi i traumave fizike
  • Diagnoza dhe monitorimi i ecurisë së trajtimit të tumoreve
  • Planifikimi i proçedurave kirurgjikale

A paraqet tomografia e kompjuterizuar risqe ose efekte anësore:

Ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe përgjithësisht i parrezikshëm.

Gjatë ekzaminimit, pacienti i nënshtrohet rrezatimit X për një kohë të shkurtër, por që është më i lartë së në radiografinë normale. Në parim, rrezet X mund të dëmtojnë materialin gjenetik, por rreziku është jashtëzakonisht i ulët me pajisjet e sotme moderne. Gjatë injektimit të lëndës së kontrastit mund të perceptohet një ndjesi nxehtësie në trup, por që është plotësisht e parrezikshme. Në raste të rralla mund të shfaqen reaksione alergjike. Zakonisht këto manifestohen me një reaksion në lëkurë (skuqje), e cila zhduket shpejt pas administrimit të antidoteve me veprim të shpejtë. Reaksione të rënda alergjike, me probleme të frymëmarrjes dhe probleme të qarkullimit të gjakut (shok alergjik) janë jashtëzakonisht të rralla. Në ditët e sotme, lëndët e kontrastit përgjithësisht tolerohen shumë mirë.