Ekzaminimi
Çfarë është vetkontrolli i gjirit?
Vetkontrolli i gjirit është një metodë e thjeshtë që shërben për të zbuluar probleme të ndryshme të tij, në faza të hershme. Është tepër e rëndësishme që çdo grua ta praktikojë këtë, në mënyrë që të mund të evidentojë sa më herët një kancer apo sëmundje të tjera të mundshme të gjirit. Vetkontrolli i gjirit është pjesë e rëndësishme plotësuese e kontrollit gjinekologjik të rregullt dhe mamografisë tek femrat, por ai nuk mund t’i zëvendesojë ato.
Rekomandohet që çdo grua të bëjë vetkontrollin e gjirit çdo muaj. Moshat e reja mbi 20 vjeç duhet ta bëjnë këtë kontroll disa ditë pas menstruacioneve, pasi gjatë menstruacioneve gjinjtë i nënshtrohen fluksit hormonal duke pësuar disa ndryshime, që i bëjnë të dhimbshëm dhe të tendosur. Kjo situatë mund të shkaktojë alarme fallco gjatë vetkontrollit të gjirit. Në periudhën e menopauzës mund të zgjidhet një ditë për vetkontrollin, psh. dita e parë e çdo muaji
Vetkontrolli i gjirit është një ekzaminim gjinekologjik që çdo grua mund ta praktikojë vetë.
A ka nevojë për ndonjë përgatitje paraprake specifike?
Nuk ka nevojë për ndonjë përgatitje paraprake.
Çfarë shpjegimi nevojitet para ekzaminimit?
Nuk ka nevojë për asnjë shpjegim paraprak.
Si bëhet vetkontrolli i gjirit?
Vetkontrolli i gjirit bëhet duke ndjekur disa hapa:
- Vështrimi i gjirit (qëndrimi para pasqyrës): gjinjtë vëzhgohen duke qëndruar në këmbë përballë pasqyrës, me krahët të puthitur me trupin ose duart në bel. Vërehen përmasat, forma, ndryshimet e lëkurës dhe njëkohësisht kontrollohen thithat e gjirit për ndryshime të reja të mundshme si psh: rrudhosje, gropëzim, prania e ndonjë kokrre, ndryshime të lëkurës (si lëkurë portokalli, dëmtime, trashje, skuqje, tërheqje të lëkurës apo të thithave. Ky ekzaminim mund të përsëritet edhe me krahët e mbledhura sipër, pas kokës.
- Palpimi (prekja me dorë) i gjoksit gjatë qëndrimit: gjinjtë palpohen me kujdes me majat e gishtave të dorës së hapur. Gjiri i djathtë palpohet me mollëzat e gishtave të dorës së majtë dhe gjiri i majtë me mollëzat e gishtave të dorës së djathtë. Është e rëndësishme të dihet se në disa gra, kudrati i sipërm i jashtëm i gjirit, ndjehet në prekje më i ngjeshur dhe më i fortë. Pastaj ushtrohet presion mbi thithat me dy gishtat, atë të madh dhe tregues. Nëse nxjerrin sekrecione, atëherë i duhet kushtuar vëmendje ngjyrës dhe trajtës së sekrecioneve.
- Palpimi i gjirit shtrirë: gjinjtë mund të palpohen edhe në këtë pozicion, madje pjesa e poshtme e tyre mund të kontrollohet më mirë shtrirë, pasi gjiri shtrihet pranë toraksit (kafazit të krahërorit)
- Palpimi i aksilës (sqetullës): vetkontrolli i gjinjve përfundon me palpimin e dy sqetullave, për të evidentuar gjendra limfatike të zmadhuara. Kujdes: Gjendra limfatike të palpueshme zakonisht mund të takohen edhe gjatë infeksioneve. I rëndësishëm është zbulimi i gjendrave limfatike të reja, të forta, ose i ndryshimeve të veçanta që duhet t’i tregohen mjekut gjinekolog.
Kur bëhet vetkontrolli i gjirit?
Ky ekzaminim cilësohet si një ndër më të mirët dhe ndër metodat më të thjeshta për kapjen sa më të hershme të kancerit të gjirit. Por, përsëri mbetet një ekzaminim plotësues dhe jo zëvendësues i kontrollit të rregullt tek mjeku gjinekolog apo i mamografisë.
A paraqet vetkontrolli i gjirit risqe apo efekte të padëshiruara?
Ky ekzaminim është plotësisht i padhimbshëm dhe nuk paraqet asnjë rrezik.
Ky informacion nuk do të zëvendsojë këshillen e një doktori. Lista doktorëve është dhënë si një lehtësi për ju. Ajo nuk është menduar si një rekomandim. doktorijuaj.com hedhë poshtë çdo garanci ose detyrim për përdorimin tuaj të këtij informacioni, pa konsultimin e drejtëpërdrejte me doktorin. Përdorimi i këtij informacioni do të thotë se ju pranoni kushtet e përdorimit. Se si u zhvillua ky informacion për t'ju ndihmuar që të merrni vendime më të mira shëndetësore.