Çfarë është hipertensioni arterial?
Hipertensioni arterial, ose tensioni i lartë i gjakut siç njihet, haset shumë shpesh. Sa më i vjetër të jesh, aq më shumë ka të ngjarë ta kesh atë. Presioni i gjakut është forca e shtypjes që ushtron gjaku kundër mureve të arterieve tuaja. Kur kjo forcë është shumë e lartë, zemrës suaj i duhet të punojë më shumë. Kjo mund të shkaktojë dëmtime serioze në arterie. Me kalimin e kohës, presioni i lartë i gjakut i pakontrolluar, e bën më të lartë mundësinë që të vuani nga një sëmundje e zemrës, goditje në tru apo sëmundje e veshkave.
Simptomat e hipertensionit
Tensioni i lartë shpesh quhet dhe vrasësi i heshtur, sepse nuk shoqërohet gjithmonë nga simptoma të dukshme. Kjo do të thotë që mund ta keni atë për vite dhe të mos e dini. Nëse nuk mjekohet mund të dëmtojë në heshtje zemrën, mushkëritë, enët e gjakut, trurin dhe veshkat tuaja.
Shifrat normale të presionit të gjakut konsiderohen nën 120/80. Rezultatet më të larta, me kalimin e kohës, mund të flasin për hipertension arterial. Numri më i lartë (presioni sistolik) tregon presionin kur zemra juaj rreh/pompon gjak. Numri më i ulët (presioni diastolik) mat presionin në qetësi midis rrahjeve të zemrës, kur zemra juaj rimbushet me gjak.
Kur presioni i gjakut qëndron vazhdimisht vetëm pak mbi nivelin normal (diku midis 120 dhe 129) për presion sistolik dhe më pak se 80 për presion diastolik, mund të merret si një shenjë paralajmëruese. Njerëzit në këtë rang kanë më shumë të ngjarë të kenë sëmundje të zemrës sesa ata me një presion më të ulët. Mjeku juaj mund të sugjerojë ndryshime në stilin e jetës për t’ju ndihmuar të ulni këto shifra.
“Zona e rrezikut” e hipertensionit
Hipertensioni arterial në stadin 1 ndodh kur leximi juaj sistolik është midis 130 dhe 139 e diastoliku është midis 80 dhe 89. Një lexim sistolik prej ≥140 ose diastolik ≥90, përbën hipertension të stadit 2. Edhe pse tensioni është në këto vlera, ju mund të mos keni simptoma. Nëse sistoliku juaj është mbi 180 ose diastoliku është mbi 120, mund të jeni duke bërë një krizë hipertensive, e cila mund të çojë në një goditje në tru, sulm në zemër ose dëmtim të veshkave. Pushoni për disa minuta dhe mateni presionin e gjakut përsëri. Nëse vazhdon të qëndrojë po aq i lartë, telefononi urgjencën. Simptomat shoqëruese janë: dhimbje koke e fortë, ankth dhe gjakrrjedhje nga hunda. Mund të ndiheni pa frymë ose të humbni ndjenjat.
Kush mund të ketë hipertension?
Deri në moshën 45 vjeçare, burrat kanë më shumë mundësi të kenë presion të lartë të gjakut se sa gratë. Gjërat barazohen me moshën, dhe në 65 vjeç e sipër është më e zakonshme tek gratë. Ka më shumë të ngjarë të vuani nga kjo gjëndje nëse një anëtar i afërt i familjes e ka atë. Gjithashtu është shumë e përhapur në mesin e njerëzve me diabet. Por në shumicën e rasteve, shkaku nuk dihet. Ndonjëherë, sëmundjet e veshkave ose gjendrës mbiveshkore mund ta shkaktojnë atë.
Thuajini jo kripës
Ose të paktën kontrolloni sasinë që merrni. Sasia e madhe e kripës bën që trupi juaj të mbajë lëngjet në organizëm. Kjo shton një barrë më të madhe për zemrën dhe rrit presionin tuaj të gjakut. Synoni për më pak se 2,500 (një lugë caji) mg kripë në ditë. Do të duhet të kontrolloni me kujdes etiketat dhe menutë e të ushqimeve. Ushqimet e përpunuara përbëjnë pjesën më të madhe të marrjes së kripës. Supat e konservuara dhe mishi i përpunuar janë të burimet kryesore.
Kontrolloni stresin
Mund të bëjë që presioni i gjakut të rritet, por nuk ka prova që stresi e mban atë në shifra të të larta për një kohë të gjatë. Për ta menaxhuar, qëndroni larg gjërave jo të shëndetshme si dieta jo e shëndetshme, përdorimi i alkoolit dhe pirja e duhanit. Të gjitha janë të lidhura me presionin e lartë të gjakut dhe sëmundjet e zemrës.
Kilet e tepërta, alkooli dhe kafeja
Kilet e tepërta shtojnë një barrë në zemrën tuaj dhe rrisin shanset për të pasur presion të lartë të gjakut. Kjo është arsyeja pse dietat e krijuara për të ulur presionin e gjakut gjithashtu synojnë të kontrollojnë kaloritë. Ju do të duhet të hiqni ushqimet e yndyrshme dhe sheqernat shtesë, ndërsa shtoni fruta, perime, proteina të mira dhe fibra. Edhe një humbje peshe prej 10 kg mund të sjellë ndryshim.
Shumë alkool mund të rrisë presionin tuaj të gjakut. Kufizoni pijet, jo më shumë se dy në ditë për burrat, ose një për gratë. Kafeina mund t’ju bëjë të ndiheni nervoz, por a e rrit kafeina gjithashtu presionin tuaj të gjakut? Ndoshta për pak kohë, por nuk ka asnjë lidhje midis kafeinës dhe hipertensionit. Një ose dy filxhanë kafe në ditë konsiderohen të sigurta.
Hipertensioni arterial në gratë shtatzëna
Hipertensioni gestacional (i shtatëzanisë) mund të prekë gratë që kurrë më parë nuk kanë pasur presion të lartë të gjakut. Zakonisht ndodh në gjysmën e dytë të shtatëzanisë. Pa trajtim, mund të çojë në një gjendje serioze të quajtur preeklampsi. Kjo kufizon rrjedhjen e gjakut dhe oksigjenit tek foshnja dhe mund të ndikojë në veshkat dhe trurin e nënës. Pas lindjes, presioni i gjakut si rregull duhet të kthehet në nivelin e tij normal, por është e mundur që gjendja të vazhdojë për disa javë.
Mjekimet mund ta shkaktojnë atë
Medikamentet e të ftohtit dhe gripit me dekongjestionantë janë një nga disa klasat e barnave që mund të shkaktojnë tension të lartë. Të tjerët përfshijnë lehtësuesit e dhimbjeve jo steroidë AIJS, steroidët AIS, pilulat dietike, pilulat kontraceptive dhe disa mjekime kundër depresionit. Nëse vëreni presion të lartë të gjakut, pyesni mjekun tuaj nëse ndonjë medikament ose suplement që po merrni mund të ndikojë në shifrat e tensionit.
Hipertensioni arterial dhe stresi
Ndonjëherë ndodh që të keni tension të lartë vetëm kur gjendeni për kontroll te mjeku. Kjo ndoshta për shkak të gjendjes emocionale. Mund të keni tension të lartë vetëm herë pas here. Ky në fakt, është një tregues për hipertension të mundshëm në të ardhmen. Për një lexim më të saktë, mateni presionin e gjakut në shtëpi herë pas here, shkruajini rezultatet në një fletore dhe tregojani ato mjekut tuaj. Merreni me vete aparatin e tensionit të shtëpisë suaj që doktori ta kontrollojë pajisjen dhe teknikën tuaj.
Hipertensioni arterial mund të prekë fëmijët
Më shpesh është një problem për njerëzit e moshuar, por fëmijët gjithashtu mund të kenë presion të lartë të gjakut. Shifrat që konsiderohen normale ndryshojnë bazuar në moshën, gjatësinë dhe gjininë e fëmijës. Mjeku juaj do të duhet t’ju tregojë nëse ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar. Fëmijët kanë më shumë gjasa të kenë hipertension nëse janë mbipeshë ose kanë një histori familjare të sëmundjes.
Provoni dietën DASH
(DASH: Dietary Approaches to Stop Hypertension – Qasjet Dietike për të Ndaluar Hipertensionin)
Ju mund të jeni në gjendje të ulni presionin e gjakut duke ngrënë më mirë. Dieta DASH kërkon më shumë fruta, perime, ushqime me drithëra, qumësht me pak yndyrë, peshk, shpendë dhe arra. Rrini larg mishit të kuq, yndyrnave të ngopura dhe ëmbëlsirave. Pakësimi i kripës në dietën tuaj gjithashtu mund të ndihmojë.
Bëni më shumë ushtrime
Aktiviteti i rregullt fizik ndihmon në uljen e presionit të gjakut. Të rriturit duhet të bëjnë rreth 150 minuta ushtrime me intensitet të moderuar çdo javë. Kjo mund të përfshijë ecjen e shpejtë, biçikletën ose ushtrime të tjera aerobike. Shtoni disa ushtrime të forcimit të muskujve të paktën 2 ditë në javë. Synoni të gjitha grupet kryesore të muskujve.
Barnat për trajtimin e hipertensionit
Gjithashtu të quajtura pilulat e ujit, ato shpesh janë zgjedhja e parë nëse ndryshimet në dietë dhe ushtrime nuk janë të mjaftueshme. Ato ndihmojnë trupin tuaj të largojë kripën dhe ujin e tepërt, për të ulur presionin e gjakut. Kjo do të thotë që ju do të urinoni më shpesh. Disa diuretikë mund të ulin sasinë e kaliumit në trupin tuaj, në këtë rast mund të vini re më shumë dobësi të muskujve, ngërçe në këmbë dhe lodhje. Të tjerët mund të rrisin sheqerin në gjak tek njerëzit me diabet. Crregullimi erektil është një tjetër efekt anësor, më pak i zakonshëm.
Beta-bllokuesiit në trajtimin e hipertensionit
Këto medikamente ngadalësojnë rrahjet e zemrës, që do të thotë që zemra nuk duhet të punojë aq shpejt. Ato përdoren gjithashtu për të trajtuar gjendje të tjera të zemrës, si një rrahje e zemrës jonormale, ose aritmitë. Mjeku juaj mund t’i përshkruajë ato së bashku me barna të tjera. Efektet anësore mund të përfshijnë pagjumësi, marrje mendsh, lodhje, duar dhe këmbë të ftohta dhe disfunksion erektil.
ACE-inhibitorët në trajtimin e hipertensionit
Këto barna ulin furnizimin e trupit tuaj me angiotensinë II – një substancë që i bën enët e gjakut të tkurren dhe të ngushtohen. Rezultati është arterie më të relaksuara, të hapura (të zgjeruara), presion i ulët i gjakut dhe më pak efort për zemrën tuaj. Efektet anësore mund të përfshijnë një kollë të thatë, skuqje të lëkurës, marramendje dhe nivele të larta të kaliumit. Mos tentoni një shtatzani ndërsa merrni këto medikamente.
ARB-të në trajtimin e hipertensionit
Në vend që të ulin furnizimin me angiotensin II, këto barna bllokojnë receptorët e angiotensinës. Është si të vendosësh një mburojë mbi një bravë. Kjo bllokadë parandalon efektet shtrënguese në arterie duke ulur presionin tuaj të gjakut. ARB-të mund të duan disa javë për t’u bërë plotësisht efektivë. Efektet anësore të mundshme përfshijnë marrje mendsh, ngërçe muskulore, pagjumësi dhe nivele të larta të kaliumit. Mos tentoni shtatëzani gjatë marrjes së këtij medikamenti.
Kalçibllokuesit (bllokuesit e kanaleve te kalçiumit) në trajtimin e hipertensionit
Kalciumi shkakton kontraksione më të forta të zemrës. Këto barna ngadalësojnë lëvizjen e kalciumit në qelizat e zemrës dhe enëve të gjakut. Kjo lehtëson rrahjet e zemrës dhe relakson enët e gjakut. Këto medikamente mund të shkaktojnë marrje mendsh, rrahje zemre jashtë rradhe, kavilje të ënjtura dhe kapsllëk. Merrini ato me ushqim ose qumësht. Shmangni lëngun e qitros dhe alkoolin për shkak të ndërveprimeve të mundshme.
Edhe medikamente të tjera mund të ndihmojnë
Vazodilatatorët, alfa-bllokuesit dhe agonistët qendrorë gjithashtu relaksojnë enët e gjakut. Efektet anësore mund të përfshijnë marrje mendsh, një rrahje të shpejtë të zemrës ose palpitacione, dhimbje koke ose diarre. Mjeku juaj mund t’i sugjerojë ato nëse ilaçet e tjera të presionit të gjakut nuk funksionojnë mjaft mirë ose nëse vuani nga ndonjë gjendje tjetër.
Ky informacion nuk do të zëvendsojë këshillen e një doktori. Lista doktorëve është dhënë si një lehtësi për ju. Ajo nuk është menduar si një rekomandim. doktorijuaj.com hedhë poshtë çdo garanci ose detyrim për përdorimin tuaj të këtij informacioni, pa konsultimin e drejtëpërdrejte me doktorin. Përdorimi i këtij informacioni do të thotë se ju pranoni kushtet e përdorimit. Se si u zhvillua ky informacion për t'ju ndihmuar që të merrni vendime më të mira shëndetësore.