Refluksi gastro-ezofageal tek fëmijët dhe adoleshentët
- 21/09/2021
- 0 Pëlqime
- 2259 Shikime
- 0 Komente
Çfarë është refluksi gastro-ezofageal?
Refluksi gastroezofageal ndodh kur përmbajtjet e stomakut kthehen mbrapsht në ezofag gjatë ose pas ushqyerjes. Ezofagu është tubi i ushqimit që lidh gojën me stomakun. Muskujt rrethorë në fund të ezofagut hapen dhe mbyllen për të lejuar ushqimin të kalojë në stomak. Këta muskuj rrethues luajnë rolin e valvulës në hyrje të stomakut dhe quhen Sfinkteri i Poshtëm Kardio-Ezofageal (SPCE-ja). Refluksi mund të ndodhë kur SPCE-ja hapet dhe lejon përmbajtjet acide të stomakut të kthehen lart në ezofag. Refluksi gastro-ezofageal zakonisht fillon qysh në fëmijëri, por vetëm një numër i vogël i fëmijëve vazhdojnë të kenë refluks kur rriten
Cilat janë shenjat (simptomat) e refluksit gastro-ezofageal?
Shumica e fëmijëve dhe të rriturve kanë pak refluks zakonisht i cili nuk vihet re. Kur përmbajtjet e kthyera në ezofag rikthehen menjëherë në stomak ato nuk e dëmtojnë ezofagun. Por në disa raste këto përmbajtje acide qëndrojnë në ezofag dhe fillojnë të dëmtojnë mukozën e tij. Kur përmbajtjet e stomakut të kthyera në ezofag kalojnë në gojë ose hyjnë në rrugët e frymëmarrjes, fëmijët dhe të rriturit fillojnë të kenë zë të ngjirur ose kollë kronike.
Shenja të tjera përfshijnë:
* Pneumoni dhe bronkite të shpeshta (për shkak të aspirimit të lëngjeve të stomakut në rrugët e frymëmarrjes);
* Vështirësi në frymëmarrje;
* Vështirësi ose dhimbje në gëlltitje;
* Të vjella;
* Dhimbje fyti;
* Humbje në peshë;
* Djegie kraharori (më e shprehur tek të rriturit);
* Ndjenja e lëmshit ose e halës në fyt.
Si diagnostikohet refluksi gastro-ezofageal?
Ju duhet të konsultoheni me mjekun gastroenterolog, i cili është i specializuar në trajtimin e sëmundjeve të traktit tretës. Doktori do t’ju pyesë me imtësi për shenjat, do t’ju bëjë një ekzaminim të imtësishëm fizik dhe do t’ju rekomandojë ekzaminime që vendosin përfundimisht diagnozën e refluksit gastro-ezofageal.
Testet më të shpeshta për të diagnostikuar refluksin G-E janë:
* Skopi me kontrast e stomakut. Me anë të rrezeve X mund të shihen dëmtimet dhe funksioni i sfinkterit të poshtëm kardio-ezofageal (SPCE), stomakut ose të zorrëve. Për të bërë këtë ekzaminim fillimisht do të pini një lëng në ngjyrë të bardhë që quhet barium, kontrast i cili ndihmon në marrjen e imazheve nën rrezet X (rentgen).
Doktori nuk mund të vendosë diagnozën vetëm nëpërmjet skopisë me kontrast por kjo e fundit ndihmon në përjashtimin e problemeve të tjera serioze që japin të njëjtat probleme si refluksi.
* Endoskopia (gastroskopia). Përpara kësaj procedure, pacientit i bëhet një sedativ (gjumëdhënës venoz). Pastaj i futet një tub të hollë fleksibël i cili kalon nëpërmjet gojës, vazhdon në ezofag, hyn në stomak dhe në fillimin e zorrës së hollë në duoden (zorrën dymbëdhjetëgishtore). Në majën e tij ai ka një kamerë dhe një dritë. Gjithashtu, në brendësi të tij ai ka një kanal ku mund të kalojnë mjete të tjera ndihmëse për mjekun gjatë ekzaminimit si për shmebull pincë biopsie dhe lak për të nxjerr trupat e huaj etj.
Me anë të këtij ekzaminimi doktori mund të vlerësojë imtësisht mukozën e ezofagut, stomakut dhe duodenit .Gjithashtu, gjatë ekzaminimit ai mund të marrë disa qeliza për ekzaminim të mëtejshëm (biopsi). Ekzaminimi i këtyre qelizave me mikroskop e ndihmon doktorin që të shoh dëmtimet që ka shkaktuar kthimi i lëngjeve gastrike dhe të përjashtojë problemet serioze.
* Ph-metria ezofagut. Një tel i hollë me sensor acid në majë të tij futet nëpërmjet hundës deri në pjesën e poshtme të ezofagut. Ky tel tregon praninë dhe mat sasinë e lëngut acid të stomakut të kthyer në ezofag. Gjithashtu tregon praninë e acidit në ezofag kur fëmija është duke qarë, kollitet apo kur përkulet nga mbrapa.
Ju duhet të flisni me mjekun pediatër kur ndodhin situatat e mëposhtme:
* Kur rritet numri i të vjellave ose vazhdojnë të vjellat e forta.
* Të vjellat me ngjyrë të verdhë ose jeshile ose që kanë pamjen e llumit të kafesë ose gjakut.
* Vështirësi në frymëmarrje pas të vjellave ose regurgitimeve (kthimi i ushqimeve tek fëmijët në gojë në sasi të pakta).
* Dhimbje që kanë lidhje me ushqyerjen.
* Refuzim i ushqimit që rezulton me humbje në peshë ose rritje të pakët të saj.
* Vështirësi dhe dhimbje në gëlltitje.
Cili është trajtimi i refluksit gastro-ezofageal?
Trajtimi i refluksit bëhet në varësi të shenjave që kanë fëmijët dhe të rriturit. Qëllimi kryesor i trajtimit medikamentoz të refluksit është ulja e aciditetit të lëngjeve të stomakut.
Përveç medikamenteve, e rëndësishme është të ndiqen dhe disa këshilla praktike.
Tek fëmijët prindërit duhet të kenë parasysh:
* Fëmija të ushqehet shpesh dhe me sasi të vogla ushqimi.
* Shmangia e ushqyerjes së fëmijës 2-3 orë para gjumit.
* Ngritja e kokës se krevatit disa centimetra më lart në mënyrë që koka dhe qafa e fëmijës të jetë më lart se pjesa tjetër e trupit. Shtimi i disa jastëkëve nuk e zgjidh problemin.
* Shmangia e lëngjeve me gaz, çokollatave dhe lëngjeve që përmbajnë shumë acid si për shembull lëngu i portokallit.
Ndërsa të rriturit duhet të kenë parasysh:
Dieta për ezofagitet nga refluksi
1. Ndalohet pirja e duhanit dhe alkoolit.
2. Ndalohet përdorimi i çamçakëzëve dhe i karameleve me mente
3. Mos u shtrini menjëherë pas ushqimit dhe shmangni darkat e vona.
4. Shmangni veshjen e rrobave të ngushta dhe përkuljet mbas ushqyerjes.
5. Hani pak dhe shpesh
6. Humbni ne peshe ne qofte se jeni mbi peshe.
7. Kokën e krevatit ku flini duhet ta mbani disa centimetra me te ngritur.
8. Ushqimet e mëposhtme rëndojnë refluksin ndaj duhen të shmangen;
a. Ushqimet e yndyrshme
b. Pikantet dhe mente
c. Çokolatat
d. Fastfoodet
9. Ushqimet e mëposhtme irritojnë ezofagun e inflamuar dhe duhet të shmangen ose limitohen.:
a. qitrot fruta dhe lëngje, agrumet (Portokalli, limona, mandarina, ananas)
b. Kafeja (normale dhe e dekafeinuar)
c. Çaji
10. Ushqimet me pikante dhe me acide mund te jene te pa tolerueshme për disa paciente.
Në qoftë se medikamentet dhe këshillat në dietë nuk e përmirësojnë situatën, atëherë rekomandohet kirurgjia, edhe pse tek fëmijët ndodh shumë rrallë. Në qoftë se tek të rriturit rekomandohet kirurgjia, atëherë kryhet fundoplikacioni, ku pjesa e sipërme e stomakut rrotullohet rreth sfinkterit të poshtëm kardio-ezofageal (SPCE-së.) Kjo ndërhyrje shton presionin e SPCE-së dhe redukton kthimin e lëngjeve acide.
Çfarë duhet të mbani mend
* Refluksi gastro-ezofageal ndodh kur përmbajtjet e stomakut kthehen në ezofag.
* Refluksi është i shpeshtë tek fëmijët e vegjël, por që zhduket me rritjen e tyre.
* Refluksi mund të shkaktoje dhimbje fyti, të vjella, kollë, ngjirje zëri dhe vështirësi në gëlltitje, etj.
* Trajtimi varet nga simptomat, mosha dhe mund të përfshijë ndryshimet në stilin e ushqyerjes dhe jetës. Kirurgjia mund të jetë një mundësi trajtimi.
Ky informacion nuk do të zëvendsojë këshillen e një doktori. Lista doktorëve është dhënë si një lehtësi për ju. Ajo nuk është menduar si një rekomandim. doktorijuaj.com hedhë poshtë çdo garanci ose detyrim për përdorimin tuaj të këtij informacioni, pa konsultimin e drejtëpërdrejte me doktorin. Përdorimi i këtij informacioni do të thotë se ju pranoni kushtet e përdorimit. Se si u zhvillua ky informacion për t'ju ndihmuar që të merrni vendime më të mira shëndetësore.