Infeksionet e frymëmarrjes – çfarë duhet të dimë?
- 04/12/2022
- 0 Pëlqime
- 2881 Shikime
- 0 Komente
Periudha e dimrit shoqërohet me rritje të sëmundjeve virale të frymëmarrjes. Arsyeja për këtë janë kushtet në të cilat gjendemi, si disa njerëz në të njëjtën hapësirë të mbyllur, e cila nuk ajroset rregullisht, një përqendrim i lartë i lagështisë në ajër dhe për rrjedhojë ndotja atmosferike si dhe mendore dhe fizike, mbingarkesë që çon në një rënie të imunitetit. Në periudhën e dimrit, trupi funksionon më ngadalë për shkak të të ftohtit, dhe kështu bëhet i ndjeshëm ndaj infeksioneve të frymëmarrjes dhe ftohjes. Në varësi të mbrojtjes individuale imune dhe psikologjike të trupit, jo çdo individ reagon stuhishëm dhe zhvillon një infeksion. Infeksionet virale, në përgjithësi, më të shpeshtat në të gjitha popullatat e rritura janë ato që prekin traktin respirator dhe gastrointestinal, me simptomatologji që rrjedhin nga organi i prekur dhe shumica e rasteve hasen gjatë ndërrimit të stinëve.
Viruset respiratore mund të prekin rrugët e sipërme të frymëmarrjes dhe klinikisht të manifestohen si rinit, faringit, bajamet, laringit, sinozit, si dhe rrugët e poshtme të frymëmarrjes që kalojnë nën kuadrin klinik të bronkitit, bronkolitit, pneumonisë. Infeksione klinikisht më të rënda hasen kryesisht tek fëmijët më të vegjël, tek të moshuarit, si dhe tek të sëmurët kronikë.
Infeksionet respiratore shkaktohen nga mikroorganizma të ndryshëm. Shkaktarët më të zakonshëm janë viruset (në 90% të rasteve): Rhinovirus, Adenovirus, Influenza, Paranifluenza dhe më rrallë bakteret dhe kërpudhat.
Infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes
Nazofaringit akut. Inflamacion akut i hundës dhe fytit i njohur edhe si ftohje. Klinikisht manifestohet me teshtitje dhe rrjedhje hunde, fillimisht e ujshme dhe me pas mukoze.
Ndonjëherë ka lodhje dhe një dhimbje koke të dobët me një temperaturë prej 37 deri në 38 gradë. Sëmundja zgjat rreth një javë. Nuk ka kurë efektive për ftohjet, ndaj është mirë që si masë parandaluese të rrisni imunitetin. Mjekimi është simptomatik, përdoren barna për uljen e temperaturës së rritur, kundër dhimbjes së kokës, pikave në hundë etj. Nevojitet respektimi i këshillave të mjekut dhe regjimi higjieno-dietik dhe pushimi.
Inflamacioni akut i sinuseve.Inflamacioni i mukozës së hundës dhe i sinuseve manifestohet me dhimbje koke, zakonisht në zonën ku sinusi është prekur nga inflamacioni, dhimbje në fyt, reduktim i nuhatjes dhe shijes, vështirësi në frymëmarrje përmes hundës.
Në terapi përdoren tretësirë nazale fiziologjike, qetësues kundër dhimbjeve dhe rekomandohet pirja e më shumë lëngjeve, ndërprerja e duhanit dhe konsumimi i alkoolit. Inhalimi apo aerosoli mund të ndihmojë në lehtësimin e shqetësimit. Antibiotikët zakonisht nuk nevojiten për të trajtuar sinozitinu akut kur ai shkaktohet nga një infeksion viral ose fungal.
Laringiti akut.Inflamacioni i mukozës së laringut zakonisht ndodh në dimër dhe në fillim të pranverës, kur ka ënjtje të kordave vokale dhe ngushtim të hapjes së laringut. Simptomat janë një kollë e thatë e irrituar, ngjirja e zërit, dhimbje të lehta dhe më rrallë vështirësi në frymëmarrje, dobësi, plogështi dhe rritje të temperaturës. Ngjirja e zërit mund të zgjasë për disa javë. Pushoni, mos tendosni kordat vokale, bëni inhalime të ngrohta ndërsa nëse mjeku vendos kështu, këshillohen antibiotikët.
Infeksionet e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes
Bronkiti akut është një inflamacion akut i mukozës së trakesë dhe bronkeve. Ndodh kryesisht gjatë ose menjëherë pas infeksioneve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, ftohjes, dhimbjeve të fytit ose gripit. Bronkiti akut është më i shpeshtë gjatë muajve të dimrit dhe në më shumë se 90 për qind të rasteve shkaktohet nga viruse të ndryshme: rinoviruset, virusi sincicial respirator, adenoviruset, viruset e gripit dhe parainfluenza. Shkaktarët më të zakonshëm në mesin e baktereve janë: Bordatella pertussis, Mycoplasma pneumoniae, Chlamidia pneumoniae.
Pneumonia është një infeksion që inflamon mushkëritë dhe mund të prekë njërën ose të dyja mushkëritë. Ato mund të mbushen me lëng ose material purulent, duke shkaktuar një kollë me mukozë, ethe, temperaturë dhe vështirësi në frymëmarrje. Mikroorganizma të ndryshëm, si bakteret, viruset dhe kërpudhat, mund të jenë agjentë shkaktarë të pneumonisë.
Pneumonia mund të jetë e lehtë, por gjithashtu serioze dhe madje kërcënuese për jetën. Me më vështirësi e kalojnë foshnjat dhe fëmijët e vegjël, njerëzit mbi 65 vjeç dhe ata me probleme shëndetësore shtesë ose me një sistem imunitar të dobësuar.
Gripi është sëmundje akute e rrugëve të frymëmarrjes, në praktikë është e vështirë të dallohet nëse bëhet fjalë për grip apo ftohje të zakonshme bazuar vetëm në simptomatologji, nëse nuk bëhet në laborator, d.m.th. konfirmimi mikrobiologjik i agjentit shkaktar të sëmundjes. Simptomat e sëmundjes shfaqen 1 deri në 4 ditë pasi virusi ka hyrë në trup. Shumica e njerëzve mund ta transmetojnë virusin te një person tjetër 1 ditë para shfaqjes së simptomave dhe 5-7 ditë pasi sëmundja të jetë shfaqur. Sëmundja ka një fillim të papritur me temperaturë të lartë, dhimbje koke, plogështi të përgjithshëm, dhimbje në muskuj dhe kyçe, skuqje dhe dhimbje fyti, gërvishtje të fytit, lotim të syve dhe rrjedhje nga hunda, kollë kryesisht e thatë, jo produktive. Trajtimi i gripit, ashtu si ftohja, është simptomatik, pra trajtohen simptomat dhe jo vetë sëmundja. Zbatohet një regjim higjieno-dietik (pushimi, marrja e më shumë lëngjeve – pije të nxehta, ushqim i lehtë, vitamina dhe minerale), dhe me rekomandimin e mjekut dhe në varësi të ashpërsisë së sëmundjes mund të jepen disa medikamente antivirale. Terapia me antibiotikë jepet vetëm në rastet e infeksioneve bakteriale dytësore që përkeqësojnë ecurinë dhe përfundimin e sëmundjes, pra për trajtimin e komplikimeve nga gripi, ekskluzivisht me urdhër të mjekut.
Trajtimi i infeksioneve të frymëmarrjes. Çfarë është e duhura?
Pacientët duhet të dinë se antibiotikët nuk kanë asnjë efekt mbi viruset dhe nuk duhet të jenë zgjedhja për ftohjet dhe gripin (90% e infeksioneve të frymëmarrjes janë me etiologji virale). Antibiotikët janë ilaçe që përdoren për të trajtuar infeksionet bakteriale, sepse mekanizmi i tyre bazohet në veprimin bakterial dhe baktericid – ata ose vrasin bakteret ose çaktivizojnë/parandalojnë rritjen e tyre.
Përdorimi i panevojshëm dhe i shtuar i antibiotikëve zvogëlon fuqinë e tyre për të vepruar kur veprimi i tyre është vërtet i nevojshëm (infeksionet bakteriale). E gjithë kjo çon në zhvillimin e rezistencës të baktereve ndaj antibiotikut. Me kalimin e kohës, rezistenca rritet dhe numri i antibiotikëve efektivë zvogëlohet.
Nëse duam që antibiotikët të vazhdojnë të jenë efektivë, duhet t’i përdorim ato në mënyrë të përshtatshme dhe racionale.
Në të gjitha rastet e RI të shkaktuar nga agjentë viralë, terapia është simptomatike, që synon lehtësimin e simptomave të organit të prekur. Për dhimbjen e fytit mund të jenë spërkatje me përbërës analgjezik/antiseptik, pastilat, për kongjestionin e hundës janë dekongestantë, shpëlarje me solucione fiziologjike izotonike/hipertonike, ndërsa për dhimbjen dhe temperaturën do të ishin përdorimi i analgjezikëve dhe antipiretikëve. Sigurisht, marrja e lëngjeve, frutave dhe perimeve të freskëta, si dhe terapia me vitamina është gjithashtu e rëndësishme.
Parandalimi:
Infeksionet respiratore parandalohen nga: shmangia e qëndrimit të zgjatur në dhoma të mbyllura me shumë njerëz, ajrimi i shpeshtë i dhomave, larja e shpeshtë e duarve, lënia e duhanit, marrja e frutave dhe perimeve të freskëta, suplementet e vitaminave zink, magnez dhe vitamina C, si dhe aktiviteti fizik.
Vaksina kundër gripit siguron një shkallë të përshtatshme mbrojtjeje kundër viruseve dhe gripit, por jo kundër llojeve të tjera të viruseve.
Gabimet më të shpeshta në trajtimin e infeksioneve të frymëmarrjes janë: ulja e temperaturës së rritur që nuk i kalon 38.5 për shkak se ndërhyn në procesin natyral të shërimit, marrja e antibiotikëve pa rekomandimin e mjekut, marrja e vitaminave vetëm pasi të ndodhë një infeksion.
Ky informacion nuk do të zëvendsojë këshillen e një doktori. Lista doktorëve është dhënë si një lehtësi për ju. Ajo nuk është menduar si një rekomandim. doktorijuaj.com hedhë poshtë çdo garanci ose detyrim për përdorimin tuaj të këtij informacioni, pa konsultimin e drejtëpërdrejte me doktorin. Përdorimi i këtij informacioni do të thotë se ju pranoni kushtet e përdorimit. Se si u zhvillua ky informacion për t'ju ndihmuar që të merrni vendime më të mira shëndetësore.