Ndër shkaqet e cirrozës së mëlçisë përmendim:
- Abuzimin me alkoolin për shumë vite, që është edhe shkaku më i shpeshtë.
- Inflamacioni i indit të mëlçisë, i shkaktuar nga viruset e hepatiti C dhe hepatiti B.
- Sëmundjet metabolike (diabeti i sheqerit)
- Sëmundjet kardio-vaskulare (të zemrës dhe enëve të gjakut), ulja e punës së anës së djathtë të zemrës, perikarditi kronik, etj.
- Sëmundjet autoimune
- Sëmundjet tropikale (trematodët)
- Nënushqyerja
- Çrregullimet e metabolizmit të hekurit, bakrit dhe yndyrnave.
- Përdorimi i disa medikamenteve (rrallë).
- Thithja për kohë të gjatë e disa substancave kimike (anestezikët dhe/ose detergjentët).
Simptomat
Simptomat në stadin e hershëm:
- Dobësi e përgjithshme trupore, lodhje e shpejtë.
- Të përziera, mungesë e oreksit, rënie në peshë.
- Ndjesia e ngopjes së shpejtë: fillimisht mëlçia zmadhohet dhe më pas, në stade më të avancuara, ajo zvogëlohet dhe forcohet.
Simptomat në stadin e avancuar:
- Zverdhje (ngjyrosje në të verdhë e lëkurës dhe konjuktivave- pjesës së brendshme të qepallave).
- Të kruajtura në lëkurë dhe shfaqje e arterieve të vogla, në formën e merimangës, në sipërfaqen e saj (angiomat stelare).
- Çrregullime hormonale: tek meshkujt, zmadhohen gjinjtë (gjinekomastia) dhe zvogëlohen testikujt, me shfaqjen e impotencës dhe uljen e dëshirës për të kryer marrëdhënie seksuale (ulja e libidos).
- Zmadhimi i shpretkës
- Enjtja e këmbëve dhe fryrja e barkut (asciti).
- Ulja e nivelit të faktorëve të mpiksjes së gjakut, që reflektohet me tendencën për gjakrrjedhje, me shfaqjen e njollave blu në lëkurë edhe gjatë goditjeve tepër të lehta.
- Në rastin e hemorragjisë nga variçet e ezofagut, jashtëqitjet marrin një ngjyrë të zezë të theksuar (urgjencë mjekësore). Gjithashtu mund të shfaqen edhe të vjella me gjak (urgjencë mjekësore).
- Çrregullimet e funksioneve të trurit, me vështirësi në përqëndrim dhe konfuzion, që mund të arrijnë deri në gjendjen e komës (stadi përfundimtar).
Diagnoza
Për të vendosur diagnozën e cirrozës së mëlçisë, mjeku bazohet në:
- Simptomat e pacientit, historinë e fillimit të tyre, mundësinë e konsumit të alkoolit.
- Analizat e gjakut, për matjen e nivelit në gjak të abuminës, bilirubinës, protrombinës.
- Ekografia e barkut
- Biopsia e indit të mëlçisë
- Rezonanca magnetike e barkut
- Egzaminimi endoskopik i ezofagut dhe stomakut, që i eksploron ato në brendësi, duke mundësuar edhe marrjen e materialit indor për biopsi.
Trajtimi
Masat e përgjithshme
Mënyra e vetme e dobishme për të frenuar ose ndaluar përparimin e cirrozës së mëlçisë është ndërprerja e menjëhershme dhe e plotë e konsumit të alkoolit. Për të realizuar këtë, është shpesh i nevojshëm qëndrimi në spital i pacientit, me menaxhimin e menjëhershëm mjekësor të hepatitit (inflamacionit të mëlçisë).
Medikamentet
Cirroza e mëlçisë nuk mund të trajtohet me medikamente, por përparimi i saj mundet vetëm të frenohet ose ndalohet, duke eleminuar faktorët shkaktarë, shpërthyes ose rëndues.
Në stadet e përparuara të sëmundjes, mund të trajtohen vetëm ndërlikimet e saj. Kështu:
- Medikamentet që nxisin urinimin (diuretikët) mund të trajtojnë ascitin (grumbullimin e ujit në zgavrën e barkut).
- Medikamentet që ulin tensionin arterial, ulin presionin në nivelin e variçeve të ezofagut, duke pakësuar në këtë mënyrë rrezikun për çarje të tyre.
- Medikamentet që nxisin funksionet e trurit mund të lehtësojnë gjendjen e konfuzionit tek pacienti.
Operacionet
Në rastin e hemorragjive nga variçet e ezofagut, është e nevojshme kryerja e sklerotizimit të këtyre të fundit. Kjo proçedurë konsiston në djegien e variçeve (venave të zgjeruara) në mënyrë kimike, duke injektuar medikamente të posaçme direkt në murin e tyre. Sklerotizimi i variçeve të çara mund të kryhet nëpërmjet gastroskopisë.
Nëse ajo është e pamundur, nevojitet ndërgjyrje kirurgjikale e menjëhershme (urgjencë mjekësore).
Çlirimin e mëlçisë nga shtypja, duke devijuar kalimin e gjakut, që mundëson uljen e shtypjes mbi venën porta dhe variçet e ezofagut. Kjo çon në zhdukjen e variçeve të ezofagut dhe të ascitit.
Transplanti i mëlçisë: është shpesh mënyra e vetme mjekësore që mundëson shpëtimin e jetës së pacientit. Ajo përfaqëson një ndërhyrje kirurgjikale jashtëzakonsisht të ndërlikuar. Veç kësaj, numri i dhuruesve të mëlçisë është relativisht i vogël. Për të gjitha këto arsye, pacientët që do t’i nënshtrohen transplantit të mëlçisë përzgjidhen me kujdesin më të madh.
Kështu, përparësi për t’u përzgjedhur për këtë ndërhyrje kanë pacientët që kanë realisht mundësi për të mbijetuar. Gjithashtu, duhet të jetë e sigurt që pacienti do të bashkëpunojë aktivisht me ekipin mjekësor në periudhën pas operacionit dhe do të përdorë rregullisht medikamentet e përshkruara nga mjeku për pjesën e jetës në vazhdim.
Çfarë mund të bëjmë vetë?
- Ndërprerja e menjëhershme dhe e plotë e konsumit të alkoolit, për të cilën nevojitet shpesh qëndrimi i pacientit në spital.
- Vaksinimi kundër hepatitit B dhe parandalimi i hepatitit C.
- Duke u këshilluar me mjekun, të ndryshohen ose të ndalohen medikamentet që mund të jenë helmuese për mëlçinë.
- Ushqyerja e ekuilibruar, e pasur në proteina dhe elemente të nevojshme (vitamina, minerale).
- Kufizimi i kripës në ushqim.
- Në stadin e përparuar të sëmundjes, përmbajtja e proteinave në ushqim duhet të pakësohet. Këshillat e lidhura me ushqyerjen në këtë stad mund të ndihmojnë në evitimin e disa ndërlikimeve të sëmundjes. Gjithsesi, përparimi i sëmundjes mund të ndikohet pozitivisht nga ndërprerja e plotë e konsumit të alkoolit.
Ndërlikimet e mundshme
Mundësitë e shërimit të cirrozës së mëlçisë varen nga stadi i sëmundjes në momentin e diagnostikimit dhe trajtimi i saj. Kështu, nëse arrihet të menaxhohet hepatiti d he të ndërpritet konsumi i alkoolit, ecuria e cirrozës së konstatuar në një stad të hershëm është e mirë.
Nëse nuk trajtohet në mënyrën e duhur, cirroza e mëlçisë përparon drejt uljes së funksionit të mëlçisë (insufiçiencës hepatike) të plotë, që shkakton vdekjen e pacientit. Pasoja të tjera të rënda të cirrozës janë:
- Kanceri i mëlçisë
- Helmimi i gjakut
Masat parandaluese
Për parandalimin e cirrozës së mëlçisë, rekomandohen këto masa:
- Kufizimi i konsumit të alkoolit
- Vaksinimi kundër hepatitit B dhe parandalimi i hepatitit C.
- Ushqyerja e ekuilibruar, e pasur në proteina dhe në përbërësit e nevojshëm (vitamina, minerale).
- Kufizimi i kripës në ushqim
- Trajtimi korrekt i sëmundjeve shoqëruese, që dyshohet se mund të dëmtojnë mëlçinë.