Kërkim
i Avancuar
Rezonanca Magnetike (MRI)

Rezonanca Magnetike (MRI)

Çfarë është rezonanca magnetike?

Rezonanca magnetike është një metodë e modernizuar e imazherisë, nëpërmjet së cilës perftohen imazhe aksiale të trupit.

Kjo metodë gjeneron imazhe duke përdorur një fushë të fortë magnetike dhe valë elektromagnetike. Ndryshe nga tomografia e kompjuterizuar (CT-skaneri), rezonanca magnetike nuk përdor rrezatimin X. Ekzaminimi zgjat rreth 30 minuta dhe është plotësisht i padhimbshëm. Me ndihmën e fushës elektromagnetike përftohen imazhe të pjesëve të trupit, të cilat përpunohen nga kompjuteri si imazhe me rezolucion të lartë, të riformatuara në plane të shumta, gjithashtu edhe tredimensionale. Në këtë mënyrë, me anë të këtij ekzaminimi mund të përftohen në kompjuter imazhe të organeve dhe indeve të buta të të gjithë trupit.

Në disa raste mund të përdoret lëndë kontrasti (MRI me lëndë kontrasti). Ekzaminimi me lëndë kontrasti mundëson pamje më të mira të organeve, dhe ndryshimeve që mund të kenë ndodhur në to prej sëmundjeve të ndryshme.

Rezonanca magnetike është një ekzaminim që i përket shërbimit të Imazherisë.

A është e nevojshme përgatitja e pacientit para ekzaminimit?

Në shumicën e rasteve nuk ka nevojë për parapërgatitje. Në rastin e kontrollit të organeve të barkut dhe të pelvisit, pacienti duhet të jetë esëll.

Çfarë sqarimi nevojitet para ekzaminimit?

Para kryerjes së ekzaminimit mjeku radiolog sqaron pacientët mbi proçedurën dhe për çfarë duhet të tregojnë kujdes.

Në lidhje me fushën magnetike, është e rëndësishme të theksohet se:

  • Për të gjeneruar imazhet, kjo metodë përdor një fushë të fortë magnetike, e cila është në aktivitet të vazhdueshëm. Për këtë arsye, është e detyrueshme që para se pacienti të hyjë në dhomën e ekzaminimit, të hiqen nga trupi të gjitha objektet metalike, si monedhat, çelësat, bizhuteritë, celularët, ora, syzet, aparati i dëgjimit, protezat e lëvizshme të dhëmbëve, si dhe objekte të tjera të ngjashme. Duhet të hiqen gjithashtu edhe kartat e kreditit, si dhe të gjitha tipet e tjera të kartave, pasi bëhen të papërdorshme për shkak të veprimit të fushës magnetike.
  • Implantet e reja kockore me përmbajtje metalike, si pllaka, vida, shtiza, proteza, kapëse ose proteza fiksuese, janë sot materiale të suportueshme nga pajisja e për pasojë nuk paraqesin asnjë problem.
  • Mund të ketë kufizime për protezat ose implantet e vjetra, si edhe për copëzat e tjera metalike që mund të gjenden në trup për shkak të aksidenteve ose plagosjeve në luftë.
  • Përjashtohen nga MRI pacientët me pacemaker (stimulues) të zemrës, me defibrilatorë të implantuar, me valvula artificiale në zemër ose me implante të veshit të brendshëm.

Si realizohet rezonanca magnetike?

Ekzaminimi fillon me pacientin shtrirë në shpinë mbi një shtrat ekzaminimi të lëvizshëm, i cili futet ngadalë në aparaturën në formë unaze të rezonancës. Ekzaminimi kryhet nën fushën magnetike, ku në dhomën e ekzaminimit qëndron vetëm pacienti. Pajisja kontrollohet nga dhoma ngjitur dhe komunikimi me stafin realizohet nëpërmjet citofonit. Gjatë ekzaminimit, pacientit i vendosen kufje me muzikë sepse aparati i rezonancës lëshon tinguj të fortë, goditës. Këto zhurma goditëse vijnë si pasojë e ciklit të fushës elektromagnetike dhe janë plotësisht të parrezikshme. Ekzaminimi zgjat rreth 15-30 minuta. Gjatë proçedurës është e rëndësishme që pacienti të jetë i relaksuar dhe i qetë, në mënyrë që të shmangen imazhet e turbullta dhe jo cilësore. Ndonjëherë, pacientit i kërkohet që të mbajë frymën për disa sekonda.

MRI me kontrast: Për disa raste, për realizimin e MRI-së nevojitet përdorimi i lëndës së kontrastit, që injektohet në venë në mënyrë që të rritet natyrshëm kontrasti i disa organeve dhe indeve. Kjo e bën më të lehtë dallimin midis indeve dhe strukturave të ndryshme. Lënda e kontrastit e rezonancës nuk përmban jod, çka do të thotë se nuk përbën problem për ata që zhvillojnë alergji ndaj lëndëve të kontrastit me jod.

Kur këshillohet kryerja e rezonancës magnetike?

Me anë të rezonancës magnetike përftohen imazhe tepër të detajuara të të gjitha zonave të trupit dhe indeve të tij. Mund të kryhet pa problem edhe tek fëmijët. Me njohuritë e sotme, rezonanca nuk përbën problem edhe për gratë shtatzëna. Megjithatë, si masë paraprake, MRI nuk duhet të kryhet gjatë tremujorit të parë të shtatzanisë.

Rezonanca magnetike luan rol kyç veçanërisht në ekzaminimin e indeve të buta, përkatësisht të indit lidhor, indit muskular, indit nervor, trurit, si dhe indeve, organeve dhe hapësirave të mbushura me gjak, si zemra dhe enët e gjakut

Përdorimet më të rëndësishme të MRI-së janë në këto zona të trupit:

  • Shtylla kurrizore dhe artikulacionet (kyçet)
  • Koka dhe zona e qafës, duke përfshirë trurin dhe palcën kurrizore
  • Organet abdominale (të barkut) dhe të pelvisit (legenit)
  • Gjiri, RM-mamografia
  • Enët e gjakut të barkut, të legenit, të krahëve dhe të këmbëve (RM-angiografia)
  • Sistemi biliar (i tëmthit) dhe kanali pankreatik
  • Veshkat dhe sistemi urinar
  • Prostata
  • Zemra dhe arteriet koronare

A paraqet rezonanca magnetike rreziqe apo efekte të padëshiruara?

Ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe përgjithësisht i parrezikshëm. Disa njerëz janë klaustrofobikë (frikë nga ambientet e mbyllura) gjatë proçedurës së rezonancës. Pacientëve që referojnë të tilla shqetësime mund t’u injektohet një medikament qetësues. Në të tilla raste, pas përfundimit të proçedurës pacienti nuk duhet të drejtojë automjetin.

Reaksionet për shkak të lëndës së kontrastit janë tepër të rralla. Në shumicën e rasteve ato manifestohen me shfaqjen e skuqjeve në lëkurë, të cilat pas administrimit të antidotit zhduket menjëherë. Reaksione të rënda alergjike me probleme të frymëmarrjes apo të qarkullimit të gjakut (shoku alergjik) janë thuajse të pamundura. Në ditët e sotme, lëndët e kontrastit tolerohen mjaft mirë.