Dhjamosja e mëlçisë përfaqëson një sëmundje që karakterizohet nga dhjamosja e të paktën 50% të qelizave të mëlçisë. Të dhënat e publikuara në SHBA, Evropë dhe Japoni janë tepër shqetësuese, sepse tregojnë që nga kjo sëmundje janë të prekur 10-25 % e personave të rritur. Këto shifra lidhen me shtimin e shkallës së obezitetit në këto vende.
Meqenëse dhjamosja e mëlçisë nuk paraqet simptoma ose paraqet simptoma të pakta, përgjithësisht ajo zbulohet në mënyrë të rastësishme. Nëse shkaku i saj identifikohet në kohë, në pjesën më të madhe të rasteve është i mundur rigjenerimi i plotë i mëlçisë.
Nëse përveç dhjamosjes, mëlçia paraqet edhe inflamacion (hepatit), flitet për një ecuri më problematike se sa në rastin kur ka thjesht dhe vetëm dhjamosje. Nëse dëmtimi i mëlçisë përhapet (shpesh gjatë konsumit kronik të alkoolit), mëlçia nuk mund të rigjenerohet më dhe shkatërrohet në mënyrë progresive, duke arritur në stadin e cirrozës së mëlçisë, që çon shpesh në vdekjen e pacientit.
Format
Njihen dy forma të dhjamosjes së mëlçisë:
- Dhjamosja e mëlçisë pa inflamacion të saj
- Dhjamosja e mëlçisë me inflamacion të saj (steatoza hepatike).
Dhjamosja e mëlçisë mund të jetë pasojë e konsumit të alkoolit, ose edhe e pavarur nga ky i fundit.
Shkaqet
Origjina e dhjamosjes së mëlçisë nuk është e qartë. Mjaft e rëndësishme në këtë drejtim konsiderohet rezistenca e indeve të organizmit ndaj veprimit të insulinës (trupi ka nevojë për më tepër insulinë për të dhënë efektin e pritshëm). Ndërkohë që, proçesi inflamator në mëlçi shkaktohet nga prodhimi nga ana e trupit, e disa substancave që shkatërrojnë mëlçinë. Ky proçes nuk është ende i qartë plotësisht.
Shkaqe të tjera të dhjamosjes së mëlçisë:
- Diabeti i sheqerit (diabetes mellitus)
- Kequshqyerja
- Mbipesha e theksuar trupore
- Çrregullimet metabolike
- Mungesa ushqimore në proteina
- Ekspozimi ndaj lëndëve të rrezikshme në ambientin e punës (produktet e pastrimit)
- Kërpudhat helmuese
- Përdorimi në mënyrë të vazhdueshme i disa medikamenteve, si ato kundër dhimbjes dhe kortizonit.
- Infeksionet
- Mungesa e oksigjenit
- Aktiviteti fizik i pamjaftueshëm
- Shtatzania: nuk dihet qartësisht mekanizmi pse në fund të shtatzanisë mund të shfaqet dhjamosje e mëlçisë.
Simptomat
Në pjesën më të madhe të rasteve, pacientët e prekur nga dhjamosja e lehtë e mëlçisë nuk paraqesin asnjë simptomë, ose mund të shfaqin vetëm:
- Dhimbje në zonën e barkut, të shpërndara dhe jo karakteristike
- Ndjesia e një barku të rënduar dhe e presionit (në anën e djathtë).
- Gjatë palpacionit (egzaminimit nëpërmjet prekjes) nga mjeku, rezulton një mëlçi e dhjamosur dhe e butë, lehtësisht e dhimbshme në prekje
Simptomat në stadin e avancuar (steatoza hepatike) janë:
- Dobësi e përgjithshme trupore
- Mungesë oreksi
- Dhimbje të forta barku
- Të vjella
- Rënie në peshë
- Zverdhje e lëkurës
- Temperaturë
- Grumbullim i ujit në bark (ascit)
Diagnoza
Diagnoza e dhjamosjes së mëlçisë vendoset nga mjeku specialist hepatolog, duke u bazuar në:
- Simptomat e pacientit dhe historinë e fillimit të tyre.
- Informimin e tij mbi mundësinë e konsumit të alkoolit, sasinë dhe shpeshtësinë e këtij fenomeni.
- Palpacionin (egzaminimi nëpërmjet prekjes) e mëlçisë nga mjeku, ku rezulton: në stadin e parë, mëlçia tepër e dhjamosur dhe e butë, lehtësisht e dhimbshme në prekje. Në stadin më të avancuar mëlçia është më e fortë.
- Egzaminimin ekografik të mëlçisë
- Analizat laboratorike, që konsistojnë në matjen e enzimave të mëlçisë në gjak, përjashtimin e sëmundjeve të tjera, si hepatiti viral dhe hemokromatoza.
- Biopsinë e mëlçisë (egzaminimi mikroskopik i qelizave të materialit të marrë në mëlçi).
Trajtimi
Dhjamosja e mëlçisë nuk mund të trajtohet me medikamente. Pikërisht për këtë arsye, është tepër e rëndësishme të evitohen ose korrigjohen shkaqet e sëmundjes. Për këtë qëllim, rekomandohet:
- Ndërprerja e menjëhershme e konsumit të alkoolit ose përdorimit të medikamenteve që dëmtojnë mëlçinë.
- Trajtimi i diabetit të sheqerit
- Rënie në peshë në rastin e mbipeshës trupore.
- Ndryshimi i mënyrës së ushqyerjes (këshillimi me një dietolog)
- Aktiviteti fizik i rregullt
- Normalizimi i nivelit të yndyrnave në gjak (kur është i rritur).
Trajtimi i dhjamosjes akute (të menjëhershme) të mëlçisë
Trajtimi në këto raste kryhet në kushte spitalore, me ushqyerje nga venat (ushqyerje artificiale). Ende nuk është vërtetuar nëse medikamentet që janë efikase kundër diabetit të sheqerit përmirësojnë edhe ecurinë e dhjamosjes së mëlçisë.
Ndërlikimet e mundshme
Shkalla e zhvillimit të ndërlikimeve të dhjamosjes së mëlçisë varet nga shkaqet e sëmundjes. Nëse dhjamosja e mëlçisë është pasojë e mbipeshës trupore ose diabetit të sheqerit, mund të trajtohet mirë dhe të rikthehet funksioni normal i mëlçisë. Në rastet e stadit fillestar të kësaj sëmundjeje, të shkaktuar nga alkooli, trajtimi arrin të ndalojë sëmundjen, madje edhe të shpëtojë plotësisht mëlçinë.
Përkundrazi, pacientët që kanë konsumuar në mënyrë të vazhdueshme substanca helmuese për mëlçinë (shpesh alkool) do të shfaqin dhjamosje të mëlçisë të avancuar, me dëmtim aq të shprehur të saj, saqë pacienti rrezikon të vdesë nga ndërlikimet. Cirroza e mëlçisë përfaqëson stadin përfundimtar të këtij dëmtimi. Shkalla e vdekshmërisë në këto raste arrin në 60%.