Kërkim
i Avancuar
Diabeti tipi 1

Diabeti tipi 1

Diabeti i tipit 1 është një sëmundje autoimune në të cilën trupi prek qelizat e prodhimit të insulinës në pankreas dhe i shkatërron ato.

Çrregullimi autoimun është një çrregullim në të cilën sistemi imun i trupit, që normalisht mbron trupin kundër pushtuesve të huaj, gabimisht identifikon një pjesë të trupit si të huaj dhe sulmon indet e shëndetshme.

Në rastin e diabetit të tipit 1 trupi shkatërron qelizat beta të prodhimit të insulinës që gjenden në pankreas. Kjo do të thotë që pankreasi nuk mund të prodhojë insulinë–një hormon që trupit juaj i duhet të rregullojë nivelet e sheqerit në gjak dhe brenda qelizave.

Diabeti i tipit 1 zakonisht fillon në fëmijëri. Ai zakonisht ka qenë identifikuar me emrin diabeti juvenil, por meqenëse edhe të rriturit mund të zhvillojnë diabetin e tipit 1 dhe pasi shumë njerëz me diabetin e tipit 2 gjithashtu kanë nevojë për insulinë, këto emërtime ndryshuan.

Doktorët nuk arrijnë ta kuptojnë se përse trupi sulmon veten në këtë mënyrë, por infeksione virusale të caktuara mund të luajnë një rol, po aq sa edhe faktorët e trashëguar (gjenetikë).

Cilat janë pasojat e të paturit të diabetit të tipit 1?

Shumë lloje qelizash në trup kanë nevojë për furnizim me glukozë, dhe insulina është e nevojshme për të lëvizur glukozën nga rrjedhja e gjakut për në qeliza. Në diabetin e tipit 1 (pa insulinë ose shumë pak insulinë që prodhohet nga pankreasi), glukoza në gjak nuk mund të lëvizë nëpër qeliza kur është e nevojshme. Kjo çon në akumulimin e glukozës në gjak – kjo është quajtur hiperglicemi.

Në mënyrë që trupi të funksionojë mirë, nivelet e glukozës në gjak duhet të mbahen në një normë të shëndetshme dhe glukoza e lartë në gjak (hiperglicemia) mund të jetë shkaku i shumë komplikacioneve në njerëzit me diabet. Për të luftuar hipergliceminë, njerëzit me diabetin e tipit 1 kanë nevojë që ti injektojnë vetes së tyre shumë shpesh gjatë ditës insulinë, në mënyrë që të mbajnë nivelin e glukozës së tyre në gjak në një normë të shëndetshme.

Cilat janë simptomat e hiperglicemisë?

Nëse ju keni një nivel të lartë të glukozës në gjak, yndyrat e trupit tuaj dhe qelizat e muskujve nuk mund ta marrin glukozën për ta përdorur atë për energji ose për ta ruajtur atë për më vonë. Trupi juaj pastaj përpiqet që të heqë qafe glukozën e tepërt në gjakun tuaj me një nga metodat e tjera. Një nga këto është edhe rritja e urinimit.

Niveli i lartë i sheqerit në gjak gjithashtu tërheq ujin nga indet e trupit tuaj. Ju do të dehidratoheni dhe do të ndiheni të etur për shkak të sasive të mëdha të lëngjeve që keni humbur. Pirja e një sasie të madhe uji për lehtësimin e etjes tuaj do të çojë në urinim më të shpeshtë. Rritja e etjes dhe urinimi janë shpesh simptomat e para të diabetit të tipit 1.

Një simptomë tjetër e hiperglicemisë është lodhja–sepse glukoza në gjakun tuaj nuk mund të shkojë në muskujt tuaj dhe në qelizat e trupit ku nevojitet për energji (për shkak të mungesës së insulinës). Vizioni (shikimi) i turbullt dhe humbja e peshës janë gjithashtu simptoma të glukozës së lartë në gjak.

Cilat janë komplikacionet e hiperglicemisë?

Të paturit e nivelit të lartë të sheqerit në gjak mund të çojë në shumë komplikacione, të cilat janë afatgjata dhe afatshkurtra.

  • Ketoacidoza

Në afat të shkurtër, nëse niveli i glukozës në gjak mbetet i lartë dhe hiperglicemia nuk trajtohet, një emergjencë mjekësore e quajtur Ketoacidoza Diabetike mund të zhvillohet. Kjo ndodh kur trupi nuk ka insulinë për të lejuar glukozën që të lëvizë jashtë gjakut dhe brenda muskujve e qelizave të trupit.

Me qelizat e paafta për të hyrë në glukozë si një burim i energjisë së trupit, trupi fillon të prishë qelizat e yndyrës për ti përdorur ato si energji. Për fat të keq, një nga produktet e yndyrave është ai i produkteve toksike të quajtura ketone. Ketonet mund të ndërtohen në gjak dhe të çojnë në një gjendje kome, madje edhe vdekje.

  • Zemra dhe sëmundja e enëve të gjakut

Rritja e rrezikut të sëmundjeve të zemrës (duke përfshirë atakun në zemër) dhe sëmundja periferike vaskulare është një komplikacion afatgjatë i glukozës së lartë në gjak dhe diabetit. Kjo është shkaktuar nga depozitat në qelizat e vogla të gjakut që i bën qelizat më të trasha dhe të rrjedhin.

  • Neuropatia

Komplikacionet afatgjata të glukozës së lartë në gjak përfshijnë neuropatinë (dëmtimin e nervit). Glukoza e tepërt në gjak dëmton enët e vogla të gjakut për furnizimin e nervave. Përfundimisht nervat dështojnë për të transmetuar sinjale në tru siç duhet, ose aspak. Kjo mund të çojë në mpirje apo ndjesi shpimi gjilpërash, djegie ose dhimbje në duar, këmbë si dhe probleme të ereksionit tek meshkujt.

  • Nefropatia

Dëmtimi i veshkave (nefropatia) është një komplikacion tjetër afatgjatë i nivelit të lartë të glukozës në gjak.

Enët e vogla të gjakut në veshka normalisht filtrojnë produktet e mbeturinave dhe lëngjet e tepërta nga rrjedhja e gjakut. Këto sekretohen më pas nga veshka në urinë. Megjithatë, në diabetin e tipit 1 sistemi i filtrimit të veshkave është i dëmtuar dhe produktet e mbeturinave mbeten në rrjedhjet e gjakut dhe në proteinat në urinë. Dëme të rënda do të çojnë në dështimin e veshkave, çka do të kërkojë dializën apo transplantin e veshkës.

  • Retinopatia

Dëmtimi i qelizave të gjakut në sy (retinopatia) është një komplikacion tjetër i diabetit të tipit 1. Kjo mund të çojë në verbëri. Katarakti dhe glaukoma kanë gjithashtu më shumë mundësi që të ndodhin tek njerëzit me diabetin e tipit 1 sesa tek njerëzit që nuk e kanë.

  • Infeksionet

Një rritje e rrezikut të infeksionit si rezultat i mosfunksionimit mirë të sistemit imun është akoma një efekt anësor i glukozës së lartë në gjak.

Trajtimi dhe çështjet e jetesës

Për shkak të rrezikut të zhvillimit të komplikacioneve nga të paturit e nivelit të lartë të glukozës në gjak, duhet kontrolli i rreptë i glukozës në gjak në mënyrë që ajo të mos rritet ose të bjerë jashtë një norme të shëndetshme që është shumë e rëndësishme në diabetin e tipi 1. Kjo zakonisht arrihet nga një kombinim i injeksioneve të insulinës dhe vetëmonitorimit të glukozës në gjak.

Niveli i glukozës në gjak është i ndikuar në çdo moment nga ushqimi që hani, aktiviteti i ushtrimeve që bëni, streset e tjera në trup, siç janë injeksionet ose kirurgjitë, ashtu sikundër dozat e insulinës. Njerëzit me diabet duhet vazhdimisht të përshtasin dozat e insulinës në raport me nivelet e glukozës në gjak, kur ato janë duke ngrënë dhe sesa sasi ushtrimesh ndërmarrin, në mënyrë që ato të arrijnë kontroll të mirë të glukozës në gjak.

Faktorët rrezikues për zhvillimin e diabetit

Nuk është e qartë se cilët faktorë shkaktojnë procesin autoimun kur trupi sulmon qelizat insulinëprodhuese të pankreasit dhe shkakton diabetin e tipit 1. Ekspozimi i faktorëve të trashëguar (gjenetikë) është menduar se luan një rol në lidhje me viruse të caktuara.

Shkencëtarët janë duke punuar shumë për të zbuluar misterin se pse disa njerëz marrin diabetin e tipit 1. Ata mendojnë se komponenti i trashëguar nuk është i mjaftueshëm në vetvete, sepse binjakët identikë (që kanë saktësisht të njëjtat gjene) nuk e marrin gjithmonë të dy diabetin. Pra, është e qartë se ka edhe disa faktorë të tjerë, si viruse të caktuara, që kanë ndikuar në këtë proces. Shpresojmë, që këta faktorë do të zbulohen në një të ardhme jo shumë të largët.