Kërkim
i Avancuar
Infeksionet e traktit urinar te femrat

Infeksionet e traktit urinar te femrat

Çfarë janë?

Infeksionet e traktit urinar janë infeksione që prekin organet e traktit urinar. Këto struktura përfshijnë veshkat, ureterët, fshikëzën urinare dhe uretrën. Këto infeksione zakonisht ndahen në dy grupe:

  • Infeksionet e traktit të poshtëm urinar – përfshihen infeksionet e fshikëzës urinare. Bakteret që normalisht gjenden në intestin janë shkaku kryesor i infeksioneve të traktit të poshtëm urinar. Këto baktere transportohen nga anusi në uretër dhe fshikëz urinare, ku rriten dhe shkaktojnë infeksion.
  • Infeksionet e traktit të sipërm urinar – përfshihen infeksionet e ureterëve dhe veshkave. Mund t`i hasim edhe me emrin pyelonephritis ose infeksion të veshkave. Infeksionet e traktit urinar të sipërm ndodhin kur bakteret transportohen nga fshikëza urinare në veshka. Ndonjëherë, mund të ndodh të transportohen nga zona të tjera të trupit me anë të qarkullimit të gjakut dhe të vendosen në veshka.

Gratë preken më shpesh nga infeksionet urinare se burrat. Kjo për shkak se gratë kanë uretër më të shkurtër se ajo e burrave, çka e lehtëson lëvizjen e baktereve për në fshikëz.

Marrëdhëniet seksuale mund të favorizojnë infeksionin. Gjithashtu, përdorimi i diafragmave kontraceptive dhe spermicidëve mund të ndryshoj mjedisin normal bakterial përreth uretrës dhe të favorizojë infeksionin.

Në gratë shtatzëna, ndryshimet e përkohshme fiziologjike dhe anatomike të traktit urinar i bëjnë ato më të prirura për cistite dhe pielonefrite. Infeksionet e fshikëzës urinare dhe veshkave mund të kthehen në një problem serioz për gratë shtatzëna dhe foshnjat e tyre, pasi rrisin riskun për kontraksione të parakohshme ose lindje të parakohshme dhe mund të përbëjnë rrezik për jetën e fetusit.

Cilat janë simptomat?

Infeksionet e traktit të sipërm urinar mund të shkaktojnë simptomat e mëposhtme:

– Urinim të shpeshtë
– Dhimbje, diskomfort ose djegie gjatë urinimit
– Dhimbje ose presion në zonën e fshikëzës urinare
– Urinë me ngjyrë të turbullt ose erë të pazakontë
– Ethe dhe temperaturë
– Nauze dhe të vjella
– Dhimbje mesi
– Urinim të shpeshtë natën

Si diagnostikohet?

Mjeku do t`ju pyes për simptomat dhe nëse keni patur më parë infeksion urinar. Gjithashtu pyetjet do të jenë në lidhje me historinë tuaj seksuale dhe për sëmundje seksualisht të transmetueshme tuajat dhe të partnerit tuaj, përdorimin e kontraceptivëve dhe nëse jeni shtatzënë. Është e rëndësishme të flisni me mjekun nëse keni sëmundje të tjera shoqëruese si diabeti, çka mund të shtoj riskun për infeksion.

Do ju kërkohet një analizë urine, e cila tregon për praninë e infeksionit ose jo. Gjithashtu do të kryhet edhe një kulturë bakteriale me një antibiogramë, për të identifikuar llojin e bakterit dhe antibiotikun që mund të përdoret për eliminimin e tij. Nëse keni temperaturë ose simptoma të tjera të infeksionit të traktit të sipërm urinar, mund t`ju kërkohet edhe një analizë gjaku.

Në personat me simptoma më të rënda të infeksionit të veshkave ose në rastin e infeksioneve të shpeshta të traktit të poshtëm urinar, mund të kërkohen teste të tjera si:

– Skaner pelvik
– Eko
– Cistoskopi

Sa zgjat infeksioni?

Me trajtimin e duhur, infeksionet e pa komplikuara të traktit urinar mund të eliminohen brenda 2 ose 3 ditëve. Ndërsa infeksionet e veshkave mund të kërkojnë më shumë kohë që të eliminohen plotësisht.

Si mund të parandalohen?

Për të parandaluar infeksionet e traktit urinar:

Pini shumë ujë gjatë ditë. Lëngjet pengojnë rritjen e baktereve përgjatë traktit urinar. Lëngu i boronicës së kuqe mund të pengojë rritjen bakteriale duke penguar depozitimin e baktereve në uretër.

Ruani higjienën në tualet. Për parandalimin e përhapjes së baktereve nga rektumi në traktin urinar përdorimi i letrës higjenike duhet të bëhet me lëvizje nga para – mbrapa.

Ulni riskun e përhapjes së baktereve pas seksit. Urinoni pas marrëdhënies seksuale. Nëse keni infeksione të shpeshta urinare, flisni me mjekun për mënyrat se si mund të parandalohen.

Si trajtohen?

Infeksionet e traktit urinar trajtohen me antibiotikë. Analizat laboratorike mund të përcaktojnë se cili është antibiotiku i duhur që duhet të merrni. Infeksionet e pa komplikuara të traktit të poshtëm urinar trajtohen për një kohë më të shkurtër, ndërsa gratë shtatzëna ose gratë që vuajnë nga diabeti, mund të kenë nevojë për një trajtim më të gjatë.

Infeksionet e traktit të sipërm urinar mund të kërkojnë një trajtim nga 10 deri në 14 ditë. Ndërsa, nëse kemi të bëjmë ne një infeksion të rëndë të traktit të sipërm urinar, mund të lind nevoja e hospitalizimit. Kjo kryesisht në rastet me nauze, të vjella dhe temperaturë.

Kur duhet të konsultohemi me një mjek?

Flisni me mjekun nëse keni urinim të shpeshtë, diskomfort gjatë urinimit ose simptoma të tjera të infeksionit të traktit urinar. Është veçanërisht e rëndësishme për gratë shtatzëna që shfaqin simptoma të infeksionit te traktit urinar të kontaktojnë menjëherë me mjekun.

Si është prognoza?

Nëse keni kaluar një cistit, shanset për të zhvilluar një infeksion tjetër janë rreth 20% më shumë. Pas infeksionit të dytë, risku për një tjetër infeksion rritet me 30%. Nëse një grua ka zhvilluar tre ose më shumë episode cistiti brenda një viti dhe struktura antatomike e traktit urinar është normale, mjeku mund t`ju përshkruaj një regjim specifik antibiotikësh për të ulur riskun e infeksioneve në të ardhmen.

  • Shpërndaje: