Kërkim
i Avancuar
Kanceri i gjirit

Kanceri i gjirit

Kanceri i gjirit (Karcinoma mamare, Tumori malinj i gjirit)

Përcaktimi

Kanceri i gjirit është tipi më i shpeshtë i kancerit tek femrat, me përhapje gjithnjë e më të madhe. Sipas raportimeve të OBSH-s (Organizata Botërore e Shëndetsisë), çdo vit në botë vdesin mbi 700 000 femra, dhe 8-9% e femrave preken nga ky kancer. Ai konstatohet më tepër tek femrat e grupmoshave nga 40-50 vjeç dhe 60-70 vjeç.

Kanceri i gjirit është një tumor malinj i gjirit. Në 80% të rasteve bëhet fjalë për një karcinomë tubulare. Shkalla e mbijetesës për 5 vjet pas diagnostikimit të kancerit varion në varësi të shteteve: nga 80% në SHBA, deri në më pak se 50% në disa vende të Evropës lindore. Kjo shpjegohet me ndryshimet ndërmjet shteteve lidhur me metodat e përdorura për diagnostikimin dhe strategjitë e trajtimit të tij. Kjo formë e kancerit haset shumë rrallë tek meshkujt.

Format

Gjendra e gjirit përbëhet nga indi gjendror, indi dhjamor dhe indi lidhor. Në lobet e saj prodhohet dhe depozitohet qumështi që, nëpërmjet disa kanaleve (tubulave) të vogla, transportohet për tek thithi i gjirit (mamela).

Njihen tri tipe të kancerit të gjirit:

  • Karcinoma tubulare, e kanaleve, që përfaqëson 80% të kancereve të gjirit dhe e ka prejardhjen në shtresën e brendshme qelizore të kanaleve të qumështit.
  • Karcinoma lobulare, që e ka prejardhjen tek lobet e gjendrave (vendet ku prodhohet dhe depozitohet qumështi)
  • Forma të tjera të rralla të kancerit të gjirit.

Shkaqet

Shkaqet e vërteta të zhvillimit të kancerit të gjirit janë ende të paqarta. Tek meshkujt, duket se në shfaqjen e tij luajnë rol disa çrregullime genike (të geneve).

Faktorët dhe situatat e rrezikut:

  • Gjinia
  • Mosha
  • Trashëgimia familjare, veçanërisht tek të afërmit e gradës së parë dhe të dytë (nëna dhe motra).
  • Kanceri i shfaqur në njërin gji rrit shkallën e rrezikut për prekje të mëvonshme të gjirit tjetër.
  • Ardhja para kohe e menstruacioneve (puberteti i parakohshëm) ose menopauza e vonuar
  • Shtatzënia e parë e realizuar në moshë të madhe
  • Femrat që nuk kanë lindur fëmijë
  • Ushqyerja e zgjatur e fëmijës me gji e pakëson shkallën e rrezikut për t’u prekur nga kanceri i gjirit.
  • Prania e nodujve (kokrrave) ose kisteve në gjinj e rrit shkallën e rrezikut për kancer të tyre.
  • Sipas studimeve të kohëve të fundit: trajtimi zëvendësues hormonal gjatë menopauzës stimulon zhvillimin e kancerit të gjirit
  • Mbipesha trupore e rëndësishme
  • Diabeti i sheqerit i tipit 2
  • Kanceri i vezoreve
  • Mutacioni (ndryshimi) i disa geneve (shumë i rrallë)

Simptomat

Në pjesën më të madhe të rasteve (70%), është e mundshme të palpohet (preket) një nodul (kokërr) i fortë dhe i padhimbshëm në nivelin e gjirit ose të sqetullave.

Simptoma të tjera:

  • Rrjedhje gjaku nga thithi i njërit gji
  • Tërheqje nga brenda e thithit të gjirit
  • Ndryshim i madhësisë së gjirit
  • Skuqje ose inflamacion i thithit të gjirit, jashtë periudhës së ushqyerjes së fëmijës me gji
  • Zmadhim i gjendrave limfatike të sqetullave

Diagnoza

ër vendosjen e diagnozës së kancerit të gjirit, janë të nevojshme:

  • Informimi i stafit mjekësor me të dhënat personale dhe ato familjare të pacientes, historinë e sëmundjes, simptomat e pranishme, të dhëna të detajuara lidhur me përdorimin e medikamenteve ose preparateve hormonale.
  • Njohja e mjekut me lidhjen e mundshme të shfaqjes së nodulit me ciklin menstrual, me një shtatzëni ose dëmtime/traumatizime të ndryshme.
  • Ekzaminimi fizik, për vlerësimin vizual (me sy) dhe nëpërmjet palpacionit (prekjes) të nodulit.
  • Ekzaminimi gjinekologjik
  • Ekzaminimi neurologjik, për evidentimin e çrregullimeve të ndjeshmërisë
  • Mamografia
  • Ekografia e gjinjve
  • Biopsia (ekzaminimi mikroskopik i indit të gjirit, të hequr gjatë operacionit).

Pas konfirmimit të diagnozës, duhet të kryhen egzaminimet e mëposhtme, për të përjashtuar mundësinë e pranisë së metastazave:

  • Radiografia e mushkërive
  • Shintigrafia e kockave
  • Skaneri (Tomodensitometria)
  • Analiza e gjakut, për dozimin e nivelit të hormoneve dhe markuesve (treguesve) tumoralë

Trajtimi

Trajtimi varet nga madhësia e tumorit, nga fakti nëse konstatohen metastaza të tij (në gjendrat limfatike të sqetullave ose në organe të tjera) dhe nga stadi i sëmundjes në momentin e diagnostikimit. Shpesh është e nevojshme një skemë e  kombinuar ndërmjet trajtimit kirurgjikal, kimioterapisë dhe/ose radioterapisë.

Trajtimi medikamentoz përfshin:

  • Kimioterapinë: citostatikët, që shkatërrojnë qelizat tumorale ose frenojnë  rritjen e tyre.
  • Terapia hormonale: rritja e disa tumoreve lidhet me  nivelin e ulët të disa hormoneve, për pasojë trajtimi hormonal ndikon në frenimin e rritjes së tumorit.
  • Terapia imunologjike: në të përfshihen citokinat (si interferoni) ose interleukina, që luan rol ndërmjetës  në sistemin imunitar).

Radioterapia

  • Konsiderohet si mënyra e tretë e trajtimit të kancerit të gjirit. Veprimi i saj është lokal, ndryshe nga kimioterapia që vepron në të gjithë organizmin. Shpesh është i nevojshëm trajtimi i kombinuar i kimioterapisë, kirurgjisë dhe radioterapisë.

Trajtimi me rrugë kirurgjikale

  • Në rastin e kancerit të gjirit është e detyrueshme heqja totale e tumorit. Edhe pse heqja e të gjithë gjirit nuk është gjithmonë e rekomandueshme, është jashtëzakonisht e rëndësishme  të pastrohet zona rreth tumorit, derisa të kalohet në ind të shëndoshë. Shumë shpesh është e nevojshme edhe heqja e gjendrave limfatike më të afërta, që janë ato të sqetullave. Vendimi lidhur me proçedurën që duhet të ndiqet e merr mjeku që ndjek rastin dhe/ose kirurgu.

Masat psikologjike

Pas diagnostikimit me kancer të gjirit, shumë shpesh konstatohen kriza të vërteta të karakterit psiqik. Për këtë arsye, për këtë kontigjent pacientesh rekomandohet këshillimi me psikoterapistin.

Ndërlikimet e mundshme

Normalisht, sa më herët të bëhet diagnostikimi i kancerit të gjirit, aq më të mëdha do të jenë mundësitë e shërimit të tij. Sëmundja konsiderohet e shëruar nëse tumori është hequr plotësisht, me një kufi të shëndoshë (me siguri të mjaftueshme) dhe nëse nuk është konstatuar asnjë metastazë (përhapje e tij) në organizëm. Shërimi i kancerit të gjirit varet nga stadi i sëmundjes në momentin e diagnostikimit të saj. Përhapja e qelizave tumorale në gjendrat limfatike të sqetullave ose në qarkullimin e gjakut, ndikon negativisht mbi ecurinë e sëmundjes.

Masat parandaluese

Vetëkontrolli i rregullt i gjinjve dhe ekzaminimet e rregullta tek mjeku me qëllim parandalues, lejojnë diagnostikimin në stadin e hershëm të sëmundjes.

Kujdes: çdo ndryshim i dukshëm ose i prekshëm i gjinjve përbën një arsye tepër të fortë për t’u konsultuar menjëherë me mjekun.