Kërkim
i Avancuar
Palpitacionet (Çrregullimet e ritmit të zemrës)

Palpitacionet (Çrregullimet e ritmit të zemrës)

Palpitacionet (Aritmitë e zemrës, Çrregullimet e ritmit të zemrës, Ekstrasistolat)

Në gjendje normale, ne nuk i ndiejmë rrahjet e zemrës. Momentet kur i ndiejmë ato, quhen palpitacione. Rrahjet e parregullta të zemrës mund të shfaqen tek çdo njeri dhe të shkaktojnë frikën e kuptueshme se diçka nuk funksionon në këtë organ jetësor. Gjithsesi, rrahjet shtesë ose rrahjet e çrregullta të zemrës jo domosdoshmërisht shoqërohen me çrregullime serioze të zemrës. Zakonisht, në çdo situatë të tillë, mjaftojnë ekzaminimet e thjeshta për të zbuluar nëse pas ritmit të parregullt qëndron ose jo një sëmundje. Nëse parregullsitë e ritmit shoqërohen nga simptoma të tilla si marramendje, humbje e vetëdijes, vështirësi në frymëmarrje ose dhimbje në kraharor, është e domosdoshme të konsultoheni me mjekun.

Si manifestohet kjo simptomë?

Palpitacionet bëjnë pjesë në aritmitë e zemrës dhe shkaktohen nga ekstrasistolat (rrahjet shtesë, jashtë radhe, të zemrës). Pacienti me palpitacione ndjen:

  • Rrahje të forta të zemrës, të referuara prej tij si “goditje”
  • Një ndjesi “pushimi” të zemrës midis këtyre goditjeve
  • Rrahje të ngadalësuara, të përshpejtuara ose të çrregullta të zemrës
  • Shpesh, pacienti nuk i ndjen ekstrasistolat (rrahjet shtesë)

Ekstrasitolat janë serioze për shëndetin e pacientit nëse:

  • Shfaqen shumë herë gjatë disa minutave
  • Shfaqen shumë ekstrasistola njëra pas tjetrës (me “breshëri”)
  • Pacienti është tashmë i diagnostikuar me probleme të zemrës dhe ekstrasistolat përfaqësojnë një simptomë të re.

Këto ekstrasistola të rënda mund të provokojnë një takikardi, dhe në rastin më të keq, të shkaktojnë fibrilacion ventrikular (një çrregullim i ritmit të zemrës që korrespondon me tkurrjen e shpejtë, të çorganizuar dhe joefektive të barkusheve të zemrës).

Cilat janë sëmundjet që shkaktojnë këtë simptomë?

Palpitacionet e zemrës janë të zakonshme dhe mund të ndodhin edhe në një zemër të shëndetshme. Ato mund të shkaktohen nga emocione të forta (të tilla si stresi, frika, nervozizmi, shqetësimi), substancat eksituese (si kafeina, nikotina, alkooli), mungesa e gjumit, infeksionet ose temperatura e lartë.

Gjithashtu, ekstrasistolat mund të jenë një simptomë e shkaktuar nga sëmundjet e zemrës ose sëmundje të tjera (shih listën më poshtë).

Edhe mungesa e mineraleve (p.sh. e magnezit) ose efektet anësore të medikamenteve të ndryshme mund të jenë shkak i këtyre çrregullimeve.

Sëmundjet që mund të shkaktojnë palpitacione janë:

  • Dhimbja e gjoksit (angina pectoris)
  • Sëmundjet e valvulave të zemrës
  • Aritmitë e zemrës
  • Dobësimi i punës së zemrës (insufiçienca kardiake)
  • Miokarditi (inflamacioni i muskulit të zemrës)
  • Hipertireoza (prodhimi i tepërt i hormoneve të gjendrës tiroide)
  • Hiperparatireoza (prodhimi i tepërt i hormonit të gjendrave paratiroide)
  • Dobësimi i punës së veshkave (insufiçienca renale kronike)
  • Anemia
  • Neuroza e zemrës

Faktorë të tjerë që favorizojnë palpitacionet janë:

  • Konsumi i madh i kafesë, alkoolit ose duhanit
  • Mungesa e gjumit
  • Gjendjet eksituese (si stresi, shqetësimi, nervozizmi, frika)
  • Efekte të padëshiruara të medikamenteve (si p.sh. diuretikët-shkarkuesit)
  • Infeksionet kronike, temperatura e lartë
  • Mungesa e mineraleve (kaliumi dhe magnezi)

Si të veproni?

Ka disa faktorë që mund të nxisin palpitacionet. Për këtë arsye, ka disa masa që mund të ndërmerrni, në mënyrë që t’i shmangni ato.

Në to përfshihen:

  • Pakësimi i konsumit të kafeinës dhe alkoolit
  • Ndërprerja e duhanit
  • Gjumi i mjaftueshëm
  • Shmangia e stresit
  • Në rast se duhet të merrni medikamente, këshillohet të lexoni fletëpalosjen shoqëruese të tyre, dhe t’i kushtoni vëmendje të veçantë efekteve të dëmshme të mundshme, si palpitacionet ose aritmitë.
  • Konsultohuni rregullisht me mjekun që ju trajton nëse vuani nga ndonjë sëmundje e zemrës.

Kur duhet të konsultoheni me doktorin?

Në një zemër të shëndetshme, palpitacionet e rastit janë të parrezikshme. Sidoqoftë, konsultimi mjekësor kërkohet nëse ekstrasistolat shfaqen rregullisht ose nëse pacienti përjeton takikardi (ritëm të përshpejtuar të zemrës). Kjo është gjithashtu e vlefshme për pacientët me sëmundje të zemrës, që sapo shfaqin palpitacione.

Një mjek i urgjencës duhet të kontaktohet menjëherë nëse:

  • Palpitacionet e zemrës nuk ndalojnë vetë
  • Palpitacionet shoqërohen me shtrëngim në kraharor, dhimbje të forta në kraharor, ndjenja e frikës, vështirësi në frymëmarrje, marramendje, mpirje, çrregullime kardiovaskulare (të zemrës dhe enëve të gjakut), probleme me shikimin ose të folurën.

Cilin mjek duhet të kontaktoni?

  • Mjekun kardiolog
  • Mjekun internist (i Mjekësisë së brendshme)
  • Mjekun e urgjencës

Për të krijuar një ide të qartë mbi problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku njihet fillimisht me simptomat e pacientit dhe historinë e tij mjekësore (anamnezën), pastaj kryen ekzaminimin fizik (inspektimin, prekjen, auskultimin, perkusionin, ekzaminimet e funksionit, etj). Më pas, mund të kërkojë ekzaminime mjekësore shtesë, sipas rastit.

Identifikimi i çrregullimeve aktuale dhe historia personale e pacientit (anamneza) konsiston në pyetje të lidhura me:

  • palpitacionet: kur kanë filluar, sa shpesh, me çfarë intensiteti, në çfarë situatash (në pushim ose gjatë aktivitetit fizik), etj.
  • çrregullimet shoqëruese (shih më sipër)
  • historinë mjekësore dhe sëmundjet e mëparshme, duke përfshirë traumat dhe operacionet
  • alergjitë e njohura
  • marrjen e medikamenteve
  • sëmundje të rëndësishme dhe shkaqet e vdekjeve të anëtarëve të familjes
  • mënyrën e jetesës, jetën shoqërore dhe profesionale
  • zakonet: dieta, gjumi, përdorimi i substancave eksituese (kafe, alkool, duhan, drogë), stresi, etj.

Ekzaminimi fizik

Ekzaminimi kardiovaskular është në plan të parë. Ai konsiston tek matja e pulsit, matja e presionit të gjakut, dëgjimi i zemrës, i enëve të gjakut dhe mushkërive me stetoskop (auskultacioni), si dhe palpacioni (vlerësimi me anë të prekjes) i gjendrës tiroide.

Ekzaminimet mjekësore shtesë

  • EKG në qetësi (elektrokardiografia e pushimit)
  • EKG gjatë sforcimit: paraqitja grafike e aktivitetit elektrik të zemrës gjatë një sforcimi (në biçikletë apo pistë vrapimi), pasi shumica e rasteve i shfaqin palpitacionet gjatë sforcimit.
  • Holteri i zemrës: monitorimi i aktivitetit të zemrës për 24 deri në 48 orë, me ndihmën e një pajisjeje portative.
  • Testi i gjakut: analizat e gjakut, elektrolitet (kalium, magnez), hormonet e gjendrës tiroide
  • Ekografia e zemrës
  • Kateterizimi i zemrës
  • Ekzaminimet imazherike, si radiografia, CT-skaneri, MRI (rezonanca magnetike), angiografia e arterieve koronare (vizualizimi i arterieve koronare nëpërmjet injektimit të një lënde kontrasti)

Trajtimi mjekësor

Trajtimi mjekësor i palpitacioneve të zemrës natyrisht varet nga shkaku i tyre.

Mënyrat e trajtimit janë:

  • Në zemrën e shëndetshme, palpitacionet e rastit zakonisht janë të lehta në natyrë dhe nuk kërkojnë terapi specifike. Më shpesh, modifikimet e dietës dhe të stilit të jetesës janë të mjaftueshme për të reduktuar çrregullimet (shih më sipër).
  • Për palpitacionet e përsëritura, rekomandohet terapi me medikamente (zakonisht beta-bllokues).
  • Në aritmitë ekstreme, që mund të shkaktojnë ndalim të zemrës, këshillohet përdorimi i defibrilatorit. Në disa raste, ekstrasistolat dalin nga një pjesë e vogël e zemrës që mund të jetë sklerotike.
  • Nëse shkaku i palpitacioneve është një sëmundje e zemrës ose endokrine (p.sh. hipertireoza), fillimisht trajtoni këtë sëmundje (shih “Hipertireoza”).
  • Mungesa e kaliumit dhe/ose e magnezit mund të ribalancohet nëpërmjet marrjes së elektroliteve.