Doktorët në Bord
Rreth “SHSKUK”
Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka filluar punën në dhjetor të vitit 1958, fillimisht me emrin Spitali i Prishtinës, deri në vendimin për themelimin e Fakultetit të Mjekësisë së Universitetit të Prishtinës, më 17 qershor 1969, kurse më 7.11.1973, Fakulteti i Mjekësisë, bashkohet me Spitalin e Prishtinës, si Organizatë e Punës së Bashkuar. Prej 29 dhjetorit 1977, deri më 1991, ka vepruar si Organizatë punuese e Fakultetit të Mjekësisë.
Nga muaji Qershor i vitit 1999, merr emrin QKUK. Përveç veprimtarisë shëndetësore, në QKUK, ofrohet edhe veprimtaria arsimore dhe ajo kërkimore- shkencore. QKUK, organizohet në klinika, institute, qendra, shërbime dhe njësi administrative.
SHSKUK
SHSKUK është formuar sipas Ligjit për Shëndetësi nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përderisa Statuti i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës është miratuar në mbledhjen e 148 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me vendim nr. 05/148, datë 11.09.2013. Formimi i SHSKUK është e saktësuar në nenin 60 të Ligjit për Shëndetësi. Në paragrafin e parë të këtij neni, theksohet se Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës themelohet si institucion autonom dhe i pavarur publik shëndetësor, me rëndësi të veçantë publike, me seli në Prishtinë. SHSKUK përbëhet nga institucionet e nivelit dytësor dhe tretësor të kujdesit shëndetësor në sektorin publik të shëndetësisë.